Bota

Netanyahu rikonfirmon vendosmërinë e Izraelit për të luftuar!

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu rikonfirmoi vendosmërinë e Izraelit për të luftuar. Në një videomesazh, ai deklaroi:

Së bashku, ne do të vazhdojmë të luftojmë dhe së bashku do të triumfojmë.

Netanyahu foli gjatë një ceremonie në Ofakim, pranë Rripit të Gazës, ku një vit më parë u vranë 40 persona. Ndërkaq, deklaroi se 7 tetori i vitit 2023, kur lëvizja islamike palestineze Hamas dhe ekstremistët e tjerë vranë rreth 1 mijë e 200 njerëz në Izrael e rrëmbyen afro 250 duke i çuar në Rripin e Gazës, ishte një ditë vuajtjesh të papërshkrueshme për vendin.

Politikani konservator theksoi se izraelitët u bashkuan për mbrojtjen e shtetit hebre.

Ne i kemi vendosur objektivat e luftës dhe po i arrijmë ato.

Ndër të tjera deklaroi se këto objektiva ishin që të shpërbënin sundimin e Hamasit, të kthenin të gjitha pengjet në shtëpi, të bënin të pamundur ndaj çdo kërcënimi të ardhshëm nga Rripi i Gazës e të siguronin kthimin e sigurt të banorëve nga jugu dhe veriu për në shtëpitë e tyre.

Por, pas një viti luftë me afro 42 mijë të vdekur në Rripin e Gazës, si dhe rritjes së kritikave ndërkombëtare për veprimet e ashpra të Izraelit në brezin bregdetar, së fundmi edhe në Liban, asnjë nga objektivat e luftës të përmendura nga Netanyahu nuk janë arritur plotësisht deri më tani.

Ushtria izraelite njoftoi se ka nisur operacione tokësore në jugperëndim të Libanit, duke e zgjeruar inkursionin në një zonë të re, një vit pasi filluan këmbimet e zjarrit me grupin e armatosur Hezbollah. Janë përshkallëzuar në operacione tokësore e ajrore të Izraelit në Liban, si dhe në sulme të drejtpërdrejta nga Irani kundër Izraelit, tensionet rajonale, të nxitura para një viti nga sulmi i Hamasit palestinez në jug të Izraelit.

Irani e paralajmëroi sot Izraelin të mos kryejë ndonjë sulm kundër Republikës Islamike, një javë pasi Teherani e goditi me një breshëri raketash duke e shtuar rrezikun në Lindjen e Mesme.

Çdo sulmi ndaj infrastrukturës së Iranit do t’i përgjigjemi me hakmarrje, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, duke e paralajmëruar Izraelin të mos e sulmojë vendin e tij.

Në Liban, ushtria izraelite e presionin ndaj Hezbollahut, grupit të mbështetur nga Irani, duke thënë se po kryen “operacione të kufizuara, të lokalizuara e të shënjestruara” në jugperëndim të Libanit, pasi javët e fundit kreu operacione të ngjashme në juglindje të territorit libanez.

Hezbollahu, i cili kontrollon Libanin jugor është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara ndërsa Bashkimi Europian i ka vendosur në “listën e zezë” krahun e armatosur, por jo edhe partinë e tij politike. Ushtria izraelite bombardoi periferitë jugore të Bejrutit gjatë natës dhe njoftoi se vrau një zyrtar të lartë të Hezbollahut, përgjegjës për buxhetin dhe logjistikat e grupit.

Nëse konfirmohet, ekzekutimi i Hussein Husseini do të ishte më i fundit në një sërë vrasjesh të liderëve e komandantëve të Hezbollahut dhe Hamasit nga Izraeli. Koordinatori i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Libanin dhe shefi i misionit paqeruajtës të OKB-së në vend, thanë sot se thirrjet e tyre të përsëritura për vetëpërmbajtje “ranë në vesh të shurdhër” prej fillimit të shkëmbimeve të zjarrit mes Hezbollahut e Izraelit.