Aktualitet

8 dhjetori, Ambasada Amerikane: Në krah të popullit shqiptar

Ambasada Amerikane ka uruar 8 Dhjetorin, duke premtuar se do të qëndrojnë në krah të popullit shqiptar ‘ndërsa ata përqafojnë të ardhmen’.

Me një mesazh adresuar të rinjve përmes profilit të saj në Facebook, Ambasada e Shteteve të Bashkuara shkruan se 31 vite më parë, studentët protestuan sypatrembur kundër një prej regjimeve më mizore të Europës.

“Sot, ne nderojmë studentët guximtarë të cilët 31 vjet më parë protestuan sypatrembur kundër një prej regjimeve më mizore të Europës, duke kërkuar fundin e komunizmit dhe fillimin e një epoke të re lirie, pluralizmi, ekonomie tregu, lirie fetare dhe lirie të fjalës. Ata kërkuan një Shqipëri “si gjithë Europa”. Ne jemi krenarë që kemi qëndruar në krah të popullit shqiptar atëherë dhe do të qëndrojmë krah tij ndërsa ata përqafojnë të ardhmen”, shkruhet në postim.

Atë natë të 8 Dhjetorit, radhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 vetë…

Protestat do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramzi Alinë u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike.

Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditët e para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës, zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke rrëzuan përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.