Bota

8 Marsi ndryshe i grave dhe vajzave në Afganistan/Diskriminim brutal!

E drejta e gruas për shkollim cilësohet “e patjetërsueshme”, por për gratë dhe vajzat afgane, është një rast i pastër diskriminimi. Zahra Azimi, e cila  përfundoi shkollimin deri në klasën e dymbëdhjetë, e provoi në lëkurë një sulm vdekjeprurës, optimizmin e rikthyer dhe goditjen e fundit që gratë  përjetojnë sa i përket shkollimit nën sundimin taleban.

Shtatorin e kaluar kur ndodhi tragjedia, ajo ishte mes qindra studentëve që iu nënshtroheshin provimeve universitare në Qendrën për Edukim të Lartë Kaaj, në perëndim të Kabulit. Të paktën 53 persona u vranë kur një sulmues vetëvrasës shënjestroi këtë qendër, që gjendet në një zonë të kryeqytetit afgan të banuar kryesisht nga pjesëtarët e komunitetit shiit hazara. Azimi dhe 109 vetë u plagosën.

Ky sulm, përgjegjësinë e të cilit nuk e mori asnjë grup, u dënua nga komuniteti ndërkombëtar dhe nxiti protesta të vajzave dhe grave në mbarë Afganistanin pas rritjes së shqetësimeve lidhur me shkollimin e tyre nën qeverinë e udhëhequr nga talebanët.

Menjëherë pasi mori pushtetin në gushtin e vitit 2021, grupi islamik i linjës së ashpër ndaloi që vajzat të ndiqnin mësimin pas klasës së gjashtë. Teksa gratë ende kishin mundësi të vijonin studimet universitare, u vendosën kufizime për studentet. Talebanët vendosën të ndanin studentët dhe studentet në klasa, që mësim të jepnin vetëm profesoreshat për studentet. Po ashtu, ofruan vetëm pak drejtime që gratë mund të zgjidhnin për të studiuar.

Pavarësisht kufizimeve e lëndimeve që pësoi, idea se ende mund t’i nënshtrohej provimit pranues, me shpresën që të ndjekë mësimet universitare, i dha pak ngushëllim Azimit.

Disa javë pas sulmit vdekjeprurës me bombë në Kabul, arriti t’i nënshtrohej testit dhe të pranohej në studimet e nivelit bachelor në degën e Kimisë në Universitetin e Kabulit, institucioni më prestigjioz në Afganistan i arsimit të lartë.

Por, në dhjetor 2022, talebanët njoftuan se do të ndalonin gratë dhe vajzat që të ndiqnin studimet në universitetet publike e private. Në janar të këtij viti, paralajmëruan universitetet se studentet janë të ndaluara që t’iu nënshtrohen testeve në pjesën e dytë të janarit. Ky njoftim nxiti një valë të re dënimesh dhe thirrjesh nga grupet e të drejtave të njeriut, qeveritë e huaja e Misioni për Ndihmë i OKB-së, që autoritetet talebane të tërhiqnin vendimin.

Por, pa sukses.

Jemi të përkushtuar për të drejtat e gjithë afganëve, bazuar në Ligjin Islamik të Sheriatit dhe i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që kurrë të mos bëjë kërkesa të tilla!

Optimizmi u zbeh kur në shkurt, Ministria e Arsimit të Lartë njoftoi se semestri pranveror në universitetet publike do të niste vetëm për studentët meshkuj. Zgjidhja është largimi nga Afganistani, duke u shkolluar jashtë, çka ndikon në largimin e trurit në vendin e sunduar nga talebanët.