Sport

Historia e kampiones olimpike që hyri në histori sepse doli kundër “Nike”!

Atletja Allyson Felix, bëri histori në kategorinë atletike të garave të pistës duke fituar stafetën 400 metra. Fitorja i siguroi asaj medaljen e 11-të olimpike, duke kapërcyer legjendën amerikane të sprintit, Carl Lewis, që numëron 10 medalje. Ajo falenderoi para gazetarëve ekipin e saj, të përbërë nga Sydney McLaughlin, Dalilah Muhammad dhe Athing Mu.

Medalja e parë ishte shumë, shumë kohë më parë kur isha e re. Sot gjithçka ishte ndryshe, por për mirë. Jam e kënaqur që punova me këto gra të mahnitshme.

Allyson, përpos performancës fantastike, u komentua gjatë për faktin që si rrallëherë, shkeli vijën e finishit e veshur me markën e saj. Ajo vrapoi me një palë këpucë “Saysh”, biznes i atleteve që e nisi në fillim të këtij viti. Allyson vrapoi shumë më shpejt në Tokio 2020, sesa në 2016-n, kur ishte 30 vjeç. Megjithatë, historia se si ajo u ngrit para një biznesi që vlen miliarda dollarë është e jashtëzakonshme.

Vendimi për të pasur një fëmijë ka ndikuar në karrierën e shumë atleteve gra. Për shumicën, kjo sinjalizon fundin e aspiratave olimpike. Allyson nuk e besonte se shtatzënia do të ishte fundi i karrierës së saj. Në vitin 2018, teksa Allyson po stërvitej në fshehtësi dhe shmangte zbulimin e shtatzënisë, ishte gjithashtu në negociata për një kontratë të re me “Nike”. Ajo nuk besonte se ishte e drejtë që kompania të kishte fuqinë për të zvogëluar ndjeshëm sa do të paguhej në të ardhmen bazuar në performancën e saj gjatë shtatzënisë dhe gjatë periudhës pas lindjes.

Por nisur nga planet për të pasur fëmijë, “Nike” e kishte të qartë që nuk duhet të vazhdonte sponsorizimin dhe të paguante në të njëjtën mënyrë. Kompania po bënte gati kontratën e re me 70% më pak të ardhura. Vendimi nuk u prit mirë nga Allyson e cila vendosi të fliste hapur kundër kompanisë. Në një artikull për “The New York Times” në vitin 2019, ajo zbuloi se “Nike” do ta paguante 70% më pak dhe pavarësisht arritjeve të saj, kompania refuzoi të garantojë që ajo nuk do të penalizohet nëse nuk performon në nivelet e mëparshme pas lindjes.

Atletja u largua nga “Nike”, nënshkroi me “Athleta” dhe brenda pak muajsh, deklarata bëri aq bujë, sa “Nike” njoftoi ndryshime. Kompania bëri me dije se do të ketë një politikë të re që garanton pagën dhe shpërblimet për atletet për 18 muaj pas shtatzënisë. Pas kësaj reahoi dhe Allyson:

Unë thjesht ndjeva se kishte ardhur koha dhe pa marrë parasysh sa e frikësuar isha, më duhej të dilja përpara dhe të tregoja historinë time. Asnjëherë nuk e kisha menduar që zëri im do të bënte që Nike të ndryshonte politikat për mëmësinë dhe atletet dhe nuk do e kisha menduar që do të çonte në krijimin e “Saysh”. Ngrihuni dhe flisni edhe nëse ju dridhet zëri.