Sociale

A do të fitosh ca lekë? historia e rrallë e 4 mashtruesve që bënë namin me kartat nga Amerika Latine

Historia më poshtë është e denjë për një skenar filmi dhe si protagonist ka edhe një 17-vjeçar, pjesë e një skeme që me pak të dhëna personale mund të të bëjë ‘gjëmën’.

Po për çfarë bëhet fjalë konkretisht?

4 shtetas, mes të cilëve dy marokenë, ngritën një skemë mashtrimi, më të cilat blinin aparate celularë kryesisht të shtrenjtë, online dhe i shisnin më pas.

Shtetasi Qiriako Topi dhe një 17-vjeçar si dhe dy të huaj realizonin blerje online të telefonave celularë me anë të kartave bankare të cilave u kishin vjedhur të dhënat.

Qiriako Topi ka kontaktuar me një shtetas maroken Mouad Mimi, dhe i ka kërkuar që ta ndihmojë të fitojë para duke e ditur se ai kishte aftësi shumë të mira kompjuterike.

Mimi i ka thënë se mund të bënin lekë pasi ai merrej me shit blerje online, ku ai vetë do bënte blerjen dhe Topi do t’i shiste ato dhe më pas do ndanin përfitimet.

Pasi ranë dakord, shtetasi maroken i ka kërkuar të gjitha të dhënat personale të tij përfshirë këtu: adresën , numrin e telefonit, kartën e identitetit, zip kodin, shtetin , qytetin, lagjen dhe më pas i ka kërkuar të instalojë në kompjuterin e tij programet Anydesk dhe Team View, përmes të cilëve ai mund të punonte nga distanca në laptopin e Qiriako Topit duke bërë blerje online te një kompani e njohur celulare shqiptare por dhe të tjera.

Më pas ai i bënte foto produktit të blerë dhe datën kur do vinte, pas kësaj Topi e merrte dhe shiste. Bëhet fjalë kryesisht për aparat celularë që janë fjala e fundit e teknologjisë dhe që kapin shifra të larta monetare.

Komunikimi i tyre ishte kryesisht në aplikacionin Telegram, ku del në skenë edhe shtetasi i huaj i regjistruar në telefon me emrin Smail, ortak i Mouad. Që mesa duket ishte ai që gjente dhe kartat e klonuara të kreditit.

Në lojën ‘a do të fitosh ca lekë’ u fut më pas edhe 17-vjeçari I.B të cilin 21 vjeçari Qirjako Topi e njihte.

Topi mori nga 17 vjeçari të gjitha të dhënat e tij personale duke ia kaluar shtetasit maroken Mouad dhe duke përsëritur skemën.

Pasi janë marrë të dhënat e 17 vjeçarit , janë kryer edhe blerje te tjera. Por e fundit që i nxori zbuluar ishte porosia e datës 25 maj ku 21-vjeçari u kap nga policia në aksion e sipër.

Të rinjtë akuzohen për mashtrim kompjuterik pasi, edhe pse rezulton se kartat e përdorura janë nga Amerika latine, Kili, Uruguaji dhe Kostarika, transaksionet janë kryer nga Shqipëria në bazë të adresës së IP.

Në përfundim gjykata vendosi të lirojë 17 vjeçarin, ndërsa 21 vjeçari u la në burg.