Aktualitet Sociale

A do të largoheshit nga Shqipëria?! Ja rezultatet e sondazhit të TAR…

Dita-ditës duket se ka një rritje të shqiptarëve me dëshirën për t’u larguar nga vendi i tyre. Por pse ndodh kjo gjë? Apo cila është mosha më e predispozuar që kërkon të largohet?

Duket se në përgjithësi të rinjtë e kanë më me dëshirë, apo e thënë ndryshe më të nevojshme, duke e parë largimin nga Shqipëria si të vetmen zgjidhje për një jetesë më të mirë. Para pak ditësh, ngritëm një sondazh në faqen tonë me pyetjen: “A do të largoheshit nga Shqipëria dhe përse?” Dhe sigurisht rezultatet e deri më tanishme nuk janë dhe aq surprizuese.

Praktikisht, kush ka jetuar për një farë kohe jashtë vendit, apo qoftë edhe të ketë pasur të afërm që jetojnë jashtë dhe të kenë qenë minimumi një herë atje, mund ta bëjnë fare mirë dallimin midis jetesës në Shqipëri dhe një vendi tjetër. Thënë kjo, këto ishin përgjigjet që arritëm të mësonim nga rezultatet e sondazhit…

Pjesa dërrmuese e atyre që vendosën të përgjigjeshin, pra 67% e tyre, pranuan se do të largoheshin nga Shqipëria për kushte më të mira jetese. Pas kësaj, me 17% të përgjigjeve, shqiptarët do të largoheshin nga vendi për mungesë mundësish. Po të njëjtën shifër përgjigjesh ka qenë dhe alternativa e tretë, për një jetë pa paragjykime.

Rezultatet janë deri diku alarmante dhe shqetësuese. Duket sikur edhe pse qeveria po përpiqet të bindë shqiptarët që jetojnë jashtë se atdheu i tyre është bërë një vend i mirë për të jetuar, sipas përgjigjeve të sondazhit mësojmë se edhe një pjesë e madhe të atyre që jetojnë në vend, duan që të largohen, kryesisht për një jetë më të mirë.