Celebrities Gossip Showbiz

A do të ngjasojë përballja mes Ronelës dhe Albanit në Festivalin e Këngës me atë të Elvanës dhe Arilenës?

Shumë pak na ndan nga organizimi i Festivalit të Këngës sivjet. Ditën e martë, me datë 9,  doli dhe lista zyrtare e këngëtarëve së bashku me këngët përkatëse që do të jenë pjesëmarrëse këtë edicion të 60-të. Mes shumë artistëve, emri i Ronelës dhe Albanit janë përfolur më së shumti si pretendë kryesorë për fitues të Festivalit.

E kur mes 20 këngëtarëve, dy prej tyre përfliten më së shumti, na kujton ngjarjen e para dy viteve mes ‘luftës së ftohtë’ të Elvanës dhe Arilenës. Nëse nuk e mbani mend, ju rikujtojmë pak se çfarë ndodhi. Festivali i 58-të i këngës pati natën finale mbrëmjen e së dielës ku fituese u shpall Arilena Ara me këngën “Shaj” një baladë që dhuroi emocione të panumërta. Të shumta ishin komentet rreth fitueses nëse e meritonte ajo kupën e festivalit apo Elvana Gjata me këngën “Me Tana”. Kjo e fundit u rendit e dyta ndërsa vendin e tretë e rrëmbeu ish-konkurrentja e “The Voice of Albania”, Sara Bajraktari. Duket se Arilena kishte mbështetjen e plotë të publikut të cilët në çdo moment brohorisnin emrin e saj madje edhe pas performancës energjike të Elvanës. Ky festival u shoqërua me polemika të shumta ku aludohej se fituesja ishte vendosur që para nisjes së festivalit ku ndër të tjera lakohej më së shumti emri i Elvanës dhe Arilenës.

E duket se edhe në këtë Festival po përsëritet si një ‘deja vu’. Këtë edicion dy pretendë shumë kryesorë, Ronela dhe Albani mund të vihen në të njëjtën situatë përballë njëri- tjetrit. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë dhe kush do të arrijë të na përfaqësojë në këtë ‘Eurovision’, por mund të themi, le të fitojë më i miri!

Nga lista e 20 artistëve e publikuar nga juria, një prej tyre mungoi në këtë listë. Është fjala për Mentor Hazirin, një emër aspak i panjohur për publikun. Këngëtari duket se është zhgënjyer nga lista e publikuar dhe nuk kanë munguar reagimet e tij ku akuzoi produksionin për korrupsion dhe mos-transparencë. Sipas tij nuk i është dhënë asnjë arsye se pse kënga e tij nuk është përzgjedhur për festivalin. Madje ai u shpreh se Festivali i Këngës nuk i do shqiptarët nga Kosova dhe ky është një turp.