Aktualitet

A do të rinisin hetimet për Fatmir Mediun lidhur me Gërdecin?

Në një seancë pa praninë e palëve, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shqyrton sot kërkesën e SPAK-ut për të rifilluar ose jo ndjekjen penale ndaj Fatmir Mediut lidhur me Gërdecin.

Shpërthimet në fabrikën e demontimit të armëve më 15 mars 2008 i morën jetën 26 personave e rreth 300 u plagosën. Ato ndodhën në kohën kur Mediu ishte Ministër i Mbrojtjes. Mes viktimave ishte dhe djali 7-vjeçar Edison Durdaj, prindërit e të cilit i drejtuan një letër Gjykatës së Posaçme ku i kërkojnë pranimin e kërkesës së SPAK-ut për nisjen e hetimeve ndaj Mediut. Sipas Feruzan e Zamira Durdajt, “dosja përmban shumë fakte që mund të cilësohen jo vetëm si shpërdorim detyre dhe që i hapin rrugë gjykimit”.

Kujtojmë se në maj të këtij viti, SPAK-u paraqiti në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e procesit gjyqësor ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim e “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.

Sipas Prokurorisë së Posaçme “u arrit në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore që të rihapet procesi gjyqësor nga Gjykata e Lartë për Mediun”.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 vendosi pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mundet që të vazhdojë. Kolegji Penal ka arsyetuar se zgjedhja e shtetasit Fatmir Mediu deputet në Kuvend me vendimin e datës 01.08.2009 (rizgjedhja si deputet pas dërgimit të çështjes në gjyq) dhe mungesa e një autorizimi për procedim të Kuvendit të Shqipërisë për këtë person pas mandatimit si deputet është një prej rrethanave ligjore të parashikuara nga neni 290/1, shkronja (e) të Kodit të Procedurës Penale, në bazë të të cilit ndjekja penale e filluar në ngarkim të shtetasit Fatmir Mediu nuk mundet që të vazhdojë.

Shkaku ligjor për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, ekzistenca e imunitetit parlamentar ndaj ushtrimit të ndjekjes penale, nuk ekziston më në legjislacionin procedural penal. Bazuar në nenin 73 të Kushtetutës (ndryshuar me ligjin nr.88/2012) dhe nenit 288 të K.Pr.Penale (ndryshuar me ligjin nr.35/2017), imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim për caktimin e masave të sigurimit “Arrest në burg” dhe “Arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfardo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

Por Gjykata e Lartë ia kaloi çështjen GJKKO-së duke shpallur moskompetencën për gjykim dhe tashmë, Gjykata e Posaçme pritet të thotë sot fjalën e saj nëse do të ketë apo jo hetim për Fatmir Mediun.