Bota

A do të shpallë DASH të tjerë zyrtarë “non grata” në Shqipëri? Ja çfarë paralajmëron Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit.

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore Gabriel Escobar thotë se përparësia kryesore në këtë detyrë do të jetë integrimi më i shpejtë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë gjithëpërfshirëse për Shefin e Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho, zoti Escobar, i emëruar rishtazi në këtë detyrë u pyet edhe në lidhje me vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit Blinken pët ta shpallur ‘non grata” ish Kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha.

Zëri i Amerikës: Vendimi i Sekretarit Blinken për përcaktimin publik të ish-Presidentit Sali Berisha për korrupsion madhor, ka shkaktuar polemika në Shqipëri, për faktin se ai nuk ka qenë në asnjë pozicion vendimmarrës në të paktën 8 vitet e fundit. Ndërsa ky është një vendim politik nga SHBA, për të çuar përpara interesat e saj kombëtare, disa njerëz ngrenë pikëpyetje se përse ky vendim u mor tani. Në mungesë të një procesi të rregullt ligjor në Shqipëri, a rrezikojnë këto përcaktime të mos arrijnë synimet e dëshiruara? Nësë një gjykatë shqiptare, apo autoritetet shqiptare do t’i kërkojnë SHBA-së të ndajë informacionet, pasi ju thoni se keni prova, nëse ata ua kërkojnë, a janë Shtetet e Bashkuara të gatshme të japin informacione?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Para së gjithash, përcaktimi kishte të bënte me frenimin e korrupsionit, nuk lidhej me zgjedhjet, me palët brenda…

Zëri i Amerikës: Kur them koha, kam parasysh që ndodhi pas 8 vitesh që ai nuk ishte në pushtet dhe jo koha kur u shpall, menjëherë pas zgjedhjeve.

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Ka disa arsye, e para, kemi kompetenca të reja. Pastaj, gjatë asaj periudhe, duhej bërë hulumtimi dhe duhej të siguroheshim, që jemi në gjendje të bëjmë përpunimin e informacionit. Në lidhje me kalimin e informacionit tek Shqipëria, ne kemi tashmë një bashkëpunim shumë të fortë në fushën e zbatimit të ligjit, por edhe në fushën ushtarake dhe përcjellim shumë informacione. Nuk do të komentoj për ndonjë procedurë të veçantë ligjore, por ne kemi partneritet të mirë me Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Qeveria aktuale ka qenë në pushtet për 8 vjet dhe korrupsioni në Shqipëri ka qenë, po citoj këtu raportin e Departamentit të Shtetit: “i gjithë-përhapur”. Por nuk kemi parë përcaktimin e ndonjë zyrtari në pushtet. A pritet të shohim përcaktime të tjera në të ardhmen?

Zv/Ndihmës Sekretari Escobar: Do të shihni përcaktime të tjera për të gjithë rajonin. Nuk mund të komentoj për raste të veçanta. Por ne synojmë t’i përdorim kompetencat, për qëllimin që ato u krijuan.