Aktualitet

A duhet legalizuar kultivimi i hashashit në Shqipëri, ja cilat janë rezultatet e sondazhit!

Sondazhi i fundit i Top Albania Radio-s lidhej me kultivimin e hashashit në Shqipëri. Sa përqind e shqiptarëve janë dakord, sa jo, dhe sa nuk kanë aspak interes, këtë do ta zbuloni tani.

Në vendin tonë, e veçanërisht në Lazarat, ka patur një përhapje të konsiderueshme të hashashit, denoncime dhe akuza të shumta, deri te zyrtarë të lartë të policisë të dyshuar për pjesëmarrje në aktivitete të këtij lloji. Kujtojmë se një nga ta, ka qenë edhe ish-ministri Saimir Tahiri, i cili është akuzuar se nuk e ka kryer siç duhet punën e tij.

Duket se gjërat nisën të ndryshojnë dhe masat filluan të shtohen. Në një dalje të paralajmëruar për mediat, Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano, njoftoi ditën e djeshme ndryshimet e drejtuesve të strukturave vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit. Për këto lëvizje, Nano u shpreh se “bëhen në funksion të prioriteteve të reja që ka përcaktuar Qeveria Shqiptare për institucionin e Policisë së Shtetit, si dhe për t’i dhënë impuls të ri personelit policor”.

Në një kohë kur Nano nxit luftën antikanabis, duket se shqiptarët kanë një mendim të ndryshëm nga ai. Në studimin e kryer nga Top Albania Radio, 65% e votuesve janë pro legalizimit të hashashit në Shqipëri, 18% janë kundër, ndërkohë që, 18% i mbetur nuk ka aspak interes.