Aktualitet

A duhet rishikuar drafti i qeverisë për amnistinë fiskale? Ja rezultatet e sondazhit të TAR!

Te mërkurën në mëngjes, kryeministri i vendit ishte i vendosur të ecte para në idenë e tij të debatueshme për një amnisti të plotë fiskale. Një projekt që parashikon që çdo individ, i cili kualifikohet, pas një procesi të ngjashëm me vetting-un, të mund të fusë në bankë deri në 2 milion euro kesh. Ai u shpreh:

Amnistia fiskale do të bëhet, e kam thënë dhe e përsëris. Pse do të bëhet? Sepse amnistia fiskale e kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve. Unë këtu jam i zgjedhur nga shqiptarët, nuk përfaqësoj ndonjë shtet tjetër dhe as nuk jam këtu si shprehje e vullnetit të ndonjë populli tjetër, që të jemi shumë të qartë.

Një ditë me pas, kryeministri mungoi në takimin me ambasadorët e huaj, takim gjatë të cilit Taulant Balla dhe ministrja e Financave, tentuan të zbusnin skepticizmin e lartë të ndërkombëtarëve ndaj kësaj nisme. Në takim mungoi dhe ambasadorja amerikane, por të enjten në mbrëmje Yuri Kim ishte e qartë se ku qëndron Uashingtoni përballë nismës së qeverisë shqiptare për amnistinë.

Argumentet e kryeministrit se amnisti të ngjashme ka patur edhe në vende të tjera si Italia, nuk po e mundësojnë bekimin e ndërkombëtarëve. Tashmë kur BE dhe SHBA po flasin publikisht kundër kësaj amnistie fiskale, për momentin askush nuk mund ta parashikojë nëse këmbënguljes të kryeministrit do t’i vijë fundi. Ose nëse nisma e tij do të korrigjohet, që të arrije të marrë OK e partnerëve.

Ne në Top Albania Radio kemi ngritur një sondazh ku kemi pyetur qytetarët nëse mendojnë se duhet rishikuar drafti i qeverisë për anistinë fiskale apo jo. Përgjigjet ioshin këto: 80% janë përgjigjur me po, ndërsa 20% janë shprehur se jo.

Po ashtu dhe në sondazhin e ngritur në YouTube Community rezultatet ishin gati gati të njëjta. 72% janë përgjigjur se duhet rishikuar drafti për amnistinë fiskale, 13% janë përgjigjur me jo dhe 15% nuk kanë qenë të sigurtë për përgjigjen e tyre.

Ndërkohë sondazhi i ri është “A mendoni se qeveria duhet të tërhiqet nga vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike?” Mund të votoni këtu për të dhënë mendimin tuaj.