Aktualitet

A duhet të tërhiqet qeveria nga vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike? Ja çfarë zbulon sondazhi i TAR!

Në fund të muajit që lamë pas, kryeministri i vendit Edi Rama dha lajmin se rritja e çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë që kalojnë fashën 800 kWh, nuk do të hynte në fuqi më 1 tetor. Një ditë pas vendimit që çmimet e reja të energjisë për mbi 800 kWh të mos hynin në fuqi në këtë fillim tetori, kryeministri Rama deklaroi se “fasha do të vendoset në nëntor, duke patur parasysh parametrat” ose siç tha “do i rikthehemi diskutimit, në bazë të parametrave”.

Në një bashkëbisedim online me qytetarë, vuri në dukje se “nëse trendi i kursimit e reshjet vijojnë”, tetorin do ta kalojmë pa të papritura. Shefi i qeverisë theksoi se “të ardhurat nga energjia elektrike do të përdoren për të mbrojtur qytetarët”. Rama informoi se nga rinegociimi i kontratave me HEC-et private, shtetit i janë kursyer 300 milion euro në vit.

Ky vendim u miratua pak ditë më parë nga edhe nga Enti Rregullator i energjisë dhe parashikohej që duke nisur nga 1 tetori rreth 49 mijë familje që tejkalonin fashën 800 kwh në muaj do e paguanin energjinë me 42 lekë kwh. Arsyet e ndryshimit të vendimit 1 ditë para hyrjes në fuqi janë përmirësimi i nivelit të ujit në kaskadën e Drinit por edhe ulja e konsumit në vend. Kreu i qeverisë i bëri apel qytetarëve që të vijojnë të kursejnë energjinë elektrike pasi kriza ende nuk ka kaluar.

Lidhur me këtë problem që prek një pjesë të mirë të qytetarëve, ne në Top Albania Radio ngritëm një sondazh nëse mendonit se qeveria duhet të tërhiqet nga vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Përgjigjet ishin këto; 94% janë përgjigjur se duhet të tërhiqet, ndërsa vetëm 6% kanë thënë se nuk duhet të tërhiqet.

Nga ana tjetër, në sondazhin e YouTube përgjigjet ishin kështu; 91% ishin përgjigjur se qeveria duhet të tërhiqet nga vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, kurse 9% janë shprehur se nuk duhet të tërhiqet.

Sondazhi i ri i TAR ngre pyetjen “Jeni dakord me rritjen e pagave 7% për pedagogët”? Votoni këtu.