Celebrities Gossip Showbiz

A mund të kemi më shumë se një ‘shpirt binjak’ në jetën tonë?!

Të gjithë e kemi dëgjuar fjalën ‘shpirt binjak’ edhe nëse vetë ndoshta nuk e kemi gjetur ende. Patjetër që kjo është edhe një arritje më vete, të gjesh një person të përshtatshëm që të të ngjasojë aq shumë, të të përshtatet aq shumë sa ti ta quash ‘gjysma ime tjetër’. Këtu nuk po flasim për thjesht dashuri. Përkundrazi, ‘shpirti binjak’ është diçka edhe më e thellë se kaq, më e ndjeshme, më plotësuese dhe më magjike.

Për këtë marrim shkas nga bota e showbiz-it. Ka shumë të famshëm që bënë jehonë duke thënë se kanë gjetur ‘personin perfekt pa të cilin nuk jetojnë dot’ apo kur thonë se ‘është ajo që kishte munguar kaq kohë në jetën time, gjysma ime tjetër’. Kur themi këto fjalë, mendojmë se secili prej nesh e ka dikë në mendje që mund t’i ketë thënë këto shprehje. Fatkeqësisht, mbase nuk kanë zgjatur shumë.

Mund të numërojmë shumë çifte që kemi menduar se do të jenë të përjetshëm me dashurinë e tyre të madhe dhe kaq frymëzuese, sa dashur pa dashur jemi bërë ‘fansa’ të asaj që ata përfaqësonin. Dhe sa shumë jemi zhgënjyer kur e gjitha kjo përfundonte apo jo? Megjithatë ne po ju sjellim në mendje disa të famshëm që na kanë vërtetuar se në të vërtetë në jetën tonë, ndonjëherë ndodh që të kemi më shumë se një ‘shpirt binjak’.

Arbana Osmani

Moderatorja shumë e dashur për publikun shqiptar, Arbana Osmani, ka qenë në një martesë prej 16 vitesh me Ardit Keron. Nga fryti i dashurisë së tyre, ka lindur një djalë, i cili quhet Jon. 16 vite konsiderohen shumë ditët e sotme apo jo? Gjithsesi, kjo përrallë përfundoi dhe tashmë Arbana po shijon historinë e saj të re me regjisorin Eduart Grishaj. Ata janë bërë gjithashtu prindër të një fëmije që ka ardhur në jetë vetëm pak muaj më parë. Nga postimet e saj të fundit, moderatorja nuk ngurron që të shfaqet më e dashuruar se kurrë me partnerin e saj.

Bora Zemani

Bora Zemani, një tjetër moderatore shumë e njohur në botën e televizionit, ka përjetuar disa histori dashurie dhe ndarje në sytë e publikut. Si fillim ishte ndarja e bujshme, por duhet thënë që ishte miqësore, nga producenti Vin Veli. Ish-çifti kanë së bashku një djalë, Arborin. Pas ndarjes së tyre, Bora u pa në krahët e Donald Veshaj, një aktor humori, pak më i ri se ajo në moshë. U duk se kësaj here, kjo histori romantike do të zgjaste përgjithmonë, nisur dhe nga deklaratat e tyre të dashurisë dhe postimeve të shumta në rrjete sociale. Fatkeqësisht, as kjo nuk zgjati shumë. Dyshja u ndanë dhe tashmë duket se nuk po gjejnë paqe duke thumbuar njëri-tjetrin publikisht. Nga ana tjetër edhe Vin Veli është duke shijuar historinë e tij të dashurisë me partneren e tij të re.

Jennifer Lopez

Në këtë listë nuk kishte si të mungonte çifti më i përfolur i showbiz-it të huaj, Jennifer Lopez dhe Ben Affleck. Dyshja kanë qenë së bashku për shumë vite dhe fansat çmendeshin pas tyre. Ata ishin perfekt për njëri-tjetrin, kaq të dashuruar sa merrej shembull një marrëdhënie e tillë. Por, gabuam! Pas ndarjes së tyre, menduam se në fakt thjesht nuk ishte e thënë kjo marrëdhënie edhe pse realisht, fansat e çiftit vijuan të mbeteshin dhe të shpresonin për një rikthim të mundshëm mes tyre. Pak më vonë, Jennifer Lopez  krijoi një imazh se kishte marrëdhënien e përsosur, më të mirë se ajo me Ben, me Alex Rodriguez. Kësaj here ishim të bindur se ky në fakt ishte çifti ideal. Përsëri gabuam! Diva e muzikës u rikthye në krahët e ish partnerit të saj, Affleck pas shumë vitesh. Mbase kjo ishte në fakt dashuria reale, shpirti binjak, perfeksioni. Që pas shumë vitesh kupton se asgjë nuk mund të të plotësojë përveç atij dikujt special. Dhe kjo nuk mund të mbushet me dikë dosido, as nëse përpiqesh të gënjesh veten. Gjithmonë do përpiqesh të gjesh rrugën e duhur drejt lumturisë, ditur pa ditur.

Brad Pitt

Të gjithë mund t’a mbajmë mend çiftin e njohur të aktorëve Jennifer Aniston dhe Brad Pitt. Dyshja pati një ‘dashuri me shikim të parë’ në sheshxhirimin e serialit “Friends” ku Pitt ishte i ftuar në një nga episodet e xhiruara. Në sytë e publikut ata ishin më të dashuruar se të gjithë çiftet e tjerë të showbiz-it, të paktën për atë kohë. Kjo derisa aktori u dashurua me një tjetër aktore, po në sheshxhirimin e një filmi, me Angelina Jolie. Edhe ky ishte një nga çiftet simbol të dashurisë së madhe dhe që duhet thënë se i rezistoi gjatë viteve. Sigurisht derisa pësuan një ndarje të ashpër. Nëse i rikthehemi pak takimeve Aniston-Pitt kohët e fundit, nga shikimet e tyre ndoshta mund të krijohet përshtypja se dashuria mes tyre në fakt nuk ka përfunduar. A mund të ishin ata shpirtrat binjakë të njëri-tjetrit, por koha dhe rrethanat nuk ndihmuan në zhvillimin e mëtejshëm?

 

Kanye West

Reperi Kanye West dhe ylli i “Keeping Up With Kardashians”, Kim Kardashian, ishin një nga çiftet që dukeshin se ishin bërë për njëri-tjetrin. Por edhe këta ashtu si edhe të tjerët në këtë listë, arritën pikën e divorcit. Tashmë reperi gjen ngrohtësi në krahët e modeles Irina Shayk, por duket se nuk e harron dot atë dashurinë e madhe që ka patur dikur për Kim. Aq sa dhe në koncertin e fundit ai i bënte dedikime romantike sa gati-gati të krijonte përshtpjen se në fakt thellë-thellë dëshiron një rikthim me Kim.

 

Megjithatë këtu lind një tjetër pyetje: si mund të jesh person publik por njëkohësisht edhe privat rreth çështjeve delikate, siç janë ato të zemrës? Përgjigjja: Nuk mundesh! Sigurisht mbase për njëfarë kohe po, por jo për shumë gjatë. Kjo vjen pasi lumturinë nuk mund ta fshehesh dot përgjithmonë. Përkundrazi, kërkon ta ndash me të gjithë, ta bërtasësh e ta ulërasësh që e gjithë bota ta dëgjojë. E, nëse lumturia përkufizohet me dashurinë e madhe dhe unike, aq më mirë akoma.