Aktualitet Politikë

A mund të ketë mungesë gruri dhe drithërash gjatë kësaj kohe? Ja si përgjigjet ministrja e Bujqësisë

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, deklaroi gjatë një komunikimi me gazetarët këtë mbrëmje, se qeveria është duke parë situatën në treg për sa i përket mallrave bazë, në mënyrë që të orientohet drejt tregjeve të reja në rast se do të ketë mungesa të produkteve të caktuara.

Krifca tha se për sa i përket furnizimit me grurë dhe drithëra situata është e qëndrueshme dhe furnizimi do të jetë në përputhje me nevojat e konsumit gjatë këtij viti.

“Ashtu siç mundësuam çlirimin e tregut për grurin me Serbinë, në këtë mënyrë do vijojmë edhe bashkëpunimin me vendet e tjera. Jemi duke komunikuar me aktorët e tregut për të kuptuar nevojat. Duke qenë në partneritet me importuesit dhe tregrtarët do kemi mundësinë për të parë nevojat për të ndërhyrë për tregjet e tjera.

Ne marrim direktiva çfarë po ndodh me tregjet, me nevojat aktuale dhe me parashikimin e prodhimit. Për sa i përket grurit dhe drithit parashikimet janë shumë optimiste për këtë vit për të ndenjur në përputhje me nevojat që ky vit ka për sa i përket konsumit”, tha Krifca