Aktualitet Politikë

A mund të përsëriten zgjedhjet e 25 prillit? eksperti zbulon ‘kleçkën’

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur sot shqyrtimin e ankimimeve të partive politike për zgjedhjet e 25 prillit.

Një ditë më parë Partia Demokratike dorëzoi në KAS 10 dosje me mbi 2 mijë faqe materiale, që sipas selisë blu janë prova të manipulimit të zgjedhjeve të 25 prillit.

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, tha se me këtë administratë zgjedhore, e cila ka karakter politik, e sheh të pamundur realizimin e kërkesë së Partisë Demokratike për përsëritje e zgjedhjeve në nëntë qarqe.

Ai thekson se për të realizuar këtë objektiv duhet që kërkesa e PD në KAS të marrë katër vota pro, nga pesë që janë në total.

Së pari, do thosha se nëse ne do kishim një administratë zgjedhore jo si kjo që kemi sot, shanset për të patur rezultate sipas pritshmërisë ankuese do të ishin më shumë reale. Në vendimmarrje të tilla që janë shumë sensitive, në administrata që ndërtohen me parimin e përfaqësimit politik zor se mund të arrihen vetëm duke lexuar ligjin. Duhet që KAS të votojë katër vota pro, nga pesë që janë, ku dihet se dy anëtarë janë të PS.

Lidhur me numrin e pavlefshëm të votave, z. Kume thekson se Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve [KAS] mund të marrë vendim, që në disa zona të bëhet rinumërimi dhe të shqyrtohen pretendimet e subjekteve politike.

Numri i votave të pavlefshme nuk është fakti që ndikon për të thënë se është shkelur apo jo ligji. Mbështetur në këtë argument, se kemi një numër të caktuar votash të pavlefshme, për mua është arsyetim që nuk të çon tek objektivi që do. Nëpërmjet vënies në lëvizje të KAS, mund të bëhen rinumërime dhe të rivlerësohen votat e pavlefshme.

Ish-drejtuesi i KQZ-së thekson se nëse KAS merr vendim për rinumërimi votash në disa zona zgjedhore, kjo lëvizje shton Kume mund të prodhojë ndryshime sa i takon shpërndarjes së mandateve.

“Unë e shoh se një proces i tillë mund të sjellë ndryshime në shpërndarjen e mandate. Në ndonjë njësi zgjedhore mund të kërkohen të ribëhen zgjedhjet nga e para”, tha ai./Euronews