Ka ardhur çasti kur ne të gjithë po mësojmë të ndryshojmë konceptin që kemi për moshën. Nga bota vijnë shembuj të ndryshëm, si nga politika, arti, sporti.
Joe Biden u zgjodh President i SHBA-ve 78-vjeç ndërsa vitin e kaluar kur ishte 79-vjeç, Bob Dylan publikoi një album që u cilësua “i shkëlqyer”; Tom Brady fitoi Super Bowl-in në moshën 43-vjeç dhe Serena Williams mbetet një yll i tenisit edhe pse rreth 40-vjeçe. Kemi edhe Phil Mickelson, fitues i Kampionatit të Golfit, P.G.A. në Amerikë kur kishte mbushur 50-vjeç.
Njerëzit po jetojnë më gjatë e më shëndetshëm duke arritur në një moshë më të vonë, gjëra që dikur lidheshin vetëm me moshën e re. Kjo nuk vlen vetëm për personalitetet. E thonë shifrat:
Në Amerikë, numri i njerëzve mbi 85-vjeç të klasifikuar si “jo të aftë” ka rënë me një të tretën mes viteve 1982-2005 e po ashtu thuajse janë përgjysmuar ata që kanë nevojë për kujdes të veçantë në qendra të specializuara.
Studiuesit bëjnë dallimin mes “moshës kronologjike”, asaj që kemi të shënuar në dokumenta dhe “moshës biologjike”, kjo e fundit bazuar në vlerësimin e funksionimit të organeve trupore e treguesve të tjerë.
Një studim në Zelandën e Re me mbi 1,000 pjesëmarrës, personat me plakje më të ngadaltë i nxorri me vetëm 0.40 vite biologjike për çdo vit kalendarik që për personat me plakjen më të shpejtë ishin 2.44 vite biologjike në 12 muaj. Patjetër që ndikojnë faktorë si trashëgimia, mjedisi e mënyra e jetesës.
Nga Zelanda e Re, në Amerikë ku duket se amerikanët po plaken më ngadalë se më parë.
Eileen M. Crimmins nga Universiti i Kalifornisë së Jugut dhe Morgan E. Levine nga Yale krahasuan burrat e grupmoshës 60-79/vjeç në periudhat 1988-1994 e 2007-2010.
Biologjikisht këta të fundit (2007-2010) rezultuan 4 vit më të rinj, pjesërisht për shkak të përmirësimit në mënyrën e jetesës dhe aksesit në ilaçe. Përveçse po jetojnë më shumë, njerëzit janë edhe më të shëndetshëm.
Në 1900-ën, pritshmëritë për jetëgjatësinë mesatare në Amerikë ishin te 47-vjeç, tani, 78. Përgjatë Shekullit 20, jetëgjatësinë e ndihmoi lufta ndaj sëmundjeve. Në gjysmën e parë të tij, vaksinat e të tjera risi mjekësore parandaluan vdekshmërinë në moshat e reja nga sëmundjet ngjitëse. Në gjysmën e dytë, përmirësimet në stilin e jetesës dhe përparimi i mëtejshëm në mjekësi shmangën vdekjet në masë te moshat e mesme nga sëmundje si tumoret apo infarktet në zemër. Por për të ruajtur trenin e jetëgjatësisë mund të mos mjaftojë vetëm kurimi i sëmundjeve.
A mund të ndërhyjmë për të ngadalësuar plakjen?
Andrew Steele, autor i “Ageless: The New Science of Getting Older Without Getting Old” përshkruan një seri ndërhyrjesh ekspertimentale të krijuara për të ngadalësuar proceset biologjike, pjesë e plakjes.
Me kalimin e moshës, na shtohen qelizat e “plakura” që prodhojnë molekula të cilat përshpejtojnë plakjen. Në 2011-ën, studiuesit i hoqën këto qeliza nga minjtë duke iu rritur jetëgjatësinë. Te njerëzit, testet klinike nisën në 2018-ën. Trajtimi i moshës tingëllon si fantazi shkencore nëse nuk ke dëgjuar për zhvillimet e fundit në moshën biologjike. Momenti kryesor vjen nëse mund të fillojmë të zhvillojmë e të përdorim trajtime për plakjen çka nënkupton rritje të moshës biologjike me një vit për 12 muaj kalendarikë.
Po sfidat që sjell pabarazia në epokën e ngadalësimit të plakjes?
Një 25-vjeçar i bardhë me më pak se 12 vite shkollim ka 61% mundësi që të arrijë moshën 65 por nëse ka të paktën 16 vite shkollë në supe, shanset rriten në 91%.
Megjithatë, amerikanë ose shqiptarë, të gjithë jemi me kohë të huazuar. Më shumë kohë do të thotë më tepër jetëgjatësi e aq më mirë për ne!