Aktualitet Sociale

A reflekton sot media fytyrën e shoqërisë shqiptare?! Ja rezultatet e sondazhit!

Kur flasim për median, pretendimi kryesor është të na sigurojë më shumë akses në informacion se në fund të fundit, ky është përkufizimi i dhënë për funksionin kryesor të saj në një shoqëri. Shoqëria shqiptare nuk bën përjashtim. Në kohën kur jetojmë, kjo pjesë sa vjen e përparon, kryesisht përmes internetit që e ka përmirësuar aksesin në informacion. Gjithnjë referuar pjesës teorike, media luan rol kryesor si burim informacioni, “watchdog” ose “inspektor”.

Ndërkohë, media është shumë komplekse pasi siç dihet përfshin televizionin, radion, shtypin e shkruar, internetin e të mendosh që vetëm televizioni e radio ofrojnë formate të shumtë ndërsa interneti lehtëson fluksin e informacionit. Pa mohuar fuqinë e jashtëzakonshme të media sociale për të arritur dimensione, që as mendoheshin më parë.

Në të njëjtën kohë, pritshmëritë tona nga media janë që edhe të na edukojë e zbavisë. Po në praktikë? Media si pjesë e rëndësishme e shoqërisë në Shqipëri, sa e reflekton fytyrën e saj, pra të shoqërisë? Një sondazh një-javor në faqen e Top Albania Radio-s në datat 2-8 nëntor na jep disa përgjigje dhe duket se shumica ndajnë mendimin se jo, pra nuk e reflekton. Këtë opinion e ndajnë 67% të të pyeturve, pjesë aspak e vogël kundrejt 33% që shohin te media në vendin tonë, një pasqyrë të shoqërisë e vlerave aktuale që kanë zëvendësuar të vjetrat, në pjesën dërrmuese duke i eliminuar.

Një rezultat që lë shumë vend për reflektim e përmirësim!