Politikë

A të kanë uruar ndërkombëtarët për zgjedhjen në krye të PD? Ja si përgjigjet Berisha

Ndonëse asnjë nga ndërkombëtarët nuk e ka uruar publikisht për zgjedhjen e tij në krye të PD, përmes procesit të zhvilluar ditën e djeshme nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha la të kuptohet se një gjë e tillë mund të ketë ndodhur privatisht.

“Si ndiheni që s’ju kanë uruar ndërkombëtarët për zgjedhjen në krye të PD?”, ishte kjo pyetja të cilës Berisha iu përgjigj gjatë një prononcimi për gazetarët jashtë Kuvendit, duke thënë: “Ku e di ti”.

Në seancën plenare të ditës së sotme Berisha dhe ministrja Elisa Spiropali kanë shkëmbyer replika mes tyre.

Ministrja për Shtetin, Elisa Spiropali gjatë fjalës së saj në Kuvend, teksa po diskutohet për raportin e AMA-s, duke ju drejtuar Sali Berishës tha se koha kur digjeshin redaksitë ka mbaruar. Spiropali akuzoi Berishën, si dizinformues dhe tha se po përdorin paratë e krimit për të ndotur mjedisin mediatik.

‘Koha kur digjeshin zyrat e redaksive në Shqipëri ka mbaruar. Kryetarja e AMA-s, u soll nga ju si propozim për tu zgjedhur si kryetare. Ju keni bëma shumë më të rënda në raport me mediat. Është e habitshme sesi mund të flasë një njëri me këtë entuziazëm. Mund të gëzohet një njeri që i ka vënë shqelmin partisë së tij. Zgjedhjet në parti i fitonte edhe Luli! Mirë që t’i na ke lënë Sali, por ato të tjerët që janë gjallë ç’punë kanë?! Ku ka sot në RSH kundërshtar më të mirë se ne. Kur jeni në pushtet, me kërbaç mbi median, e keni dëshmuar. Ju jeni prodhues të dezinformimit dhe ‘Fake News’. Po përdorni paratë krimit, për të ndotur këtë mjedis mediatik. Njerëzit e dinë shumë mirë, prandaj nuk ju japin votën. Frymëzuesi i kësaj kulture është ai që ngriti kupën dje. Nuk jeni gati që t’i afroheni asnjëlloj pushteti dhe ndjesë parë pushteti juaj.’- tha Spiropali.

Pasi drejtuesja e seancës Ermonela Felaj i ka dhënë fjalën për procedurë Spiropalit, Berisha nuk ka ikur nga Foltorja. Në krah të tij ka reaguar deputeti i PD Edi Paloka. Ndërsa Felaj i ka kërkuar Berishës të mos flasë.

Paloka ka përdorur fjalë jo të duhur në sallën e Kuvendit, si “budallaqe” apo “legen”. Pas këtij incidenti Ermonela Felaj ka kërkuar edhe largimin e Sali Berishë nga salla.

Spiropali: Nuk do të ma japë fjalën për të përgjigjur sepse lexoi artikullin e një portali të financuar vete me paratë e të vdekurve në Gerdec. Pse ulëret (i drejtohet Edi Palokes)?

Felaj: Pse ulërin nga vendi! Boll ju hakërryet njerëzve në këtë sallë , ju meritoni të dilni jashtë për fjalët që përdorët. Ju nuk fyeni dot askënd.

Spiropali: Unë e njoh vëllain tim, njoh kunatën. Nuk jam nga ata që thonë nuk e njoh baxhanakun. Unë mbaj përgjegjësi për këta sepse një cent të qytetarëve shqiptarë nuk e kanë përfituar njerëzit e mi. Prandaj nuk ma bën mua syri tër. Unë nuk intimidohem, dëgjoje mirë këtë gjë. Ashtu siç po të bëju thirrje ty të shkosh në prokurori dhe SPAK, po ashtu i bëj thirrje institucioneve të shohin me radhë ty dhe familjarët e tu sepse historia të del ndryshe.

Felaj: Paloka të kërkojë ndjesë ose të lërë sallën.

Edhe në dalje të parlamentit Berisha ka hedhur akuza ndaj Spiropalit duke i thënë se do të denoncojë çdo aferë që sipas ish-kryeministrit ka kryer ministrja.

“Situata në parlament është e sëmurë. Të cilët i shtyn Edi Rama të bëjnë punën tuaj. Të gjitha kanë qëllim si të maskohen vjedhjet e tyre. Kjo Spiropali një e dy e ngrihet. Spiropali është e vetmja. Shko lexo tenderat e burrit të Spiropalit. Ja jep Enklit, të vëllait. A ka vjedhje më të hapur sesa tenderi publik i jepet kunatit. Kemi të bëjmë me një grup njerëzish që kanë humbur çdo moral për të pasur mandatin e deputetit. Kjo është e tëra pse mediet janë në këtë gjendje. Duhet të bëjmë një aleancë ku secila palë respekton pavarësinë, një aleancë për të bërë transparencë të plotë të të gjitha mbledhjeve të ministrave. Zonja thoshte po flet nga një portal. Vëllai i Elizës është mrekulluar nga burri i Elizës. Tani fajin e ka portalin? Këta i ka kapur frika dhe tmerri nga vjedhjet e tyre”, tha Berisha mes të tjerash.