Music

ABBA rikthehet fuqishëm, në Top 10 Singles në Britani!

Pas gati 40 vjetësh, grupi legjendar i popit suedez, ABBA që në vitet ‘80 njihej edhe në Shqipëri do të jetë në Top 10 Singles në Britaninë e Madhe, me dy këngë të reja nga albumi i ardhshëm “Voyage”.

“I Still Have Faith in You” dhe “Don’t Shut Me Down” përkatësisht renditen në vendin e 6-të e të 7-të në klasifikimet britanike, sipas vlerësimeve të publikuara e të bazuara në shitjet e para e transmetimet.

Nëse vrulli vazhdon, këto këngë do të jenë të parat e ABBA-ve në Top 10 në Britani që nga “One Of Us”, në dhjetor 1981.

“I Still Have Faith in You” ka siguruar shitje të mëdha të CD-ve e vinileve.

Deri tani “Don’t Shut Me Down” është kënga më e shkarkuar në një javë në Britani.

Dy këngët e reja janë marrë nga “Voyage”, albumi i parë në studio i ABBA-ve, që nga “The Visitors” më 1981.

Katër anëtarët e ABBA-ve, akronim i përbërë nga inicialet e emrave të tyre të parë Anni-Frid Lyngstad, 75-vjeçe; Agnetha Fältskog, 71; Björn Ulvaeus, 76; Benny Andersson, 74, u ndanë në vitin 1982.

“Voyage”, një album me 10 këngë do të publikohet më 5 nëntor.