Sport

“Abissnet Superiore”, sot luhen Egnatia-Tirana e Kastrioti-Kukësi!

Egnatia-Tirana dhe Kastrioti-Kukësi janë dy prej sfidave të Javës së 29-të në “Abissnet Superiore” dhe që nisin të luhen sot në orën 13:45 ndërsa nesër është radha e ndeshjeve Laçi-Dinamo (13:45), Teuta-Vllaznia e Partizani-Skënderbeu, që të dyja startojnë në 16:45.

Sa i përket takimeve të kësaj të shtune, si Tirana ashtu edhe Egnatia veçohen për formën e mirë. Bardheblutë ecin drejt titullit të 26 kampion dhe janë 16 pikë para ndjekësve më të afërt të Laçit. Në sfidën e fundit, fituan 4-0 me Skënderbeun. Sa i takon Egnatias së Zekeria Ramadanit, në sfidën me Tiranën vjen pas dy fitoresh dhe dy barazimesh, pasi ndali Partizanin e Kukësin, si edhe triumfoi ndaj Vllaznisë e Dinamos. Por, repartin sulmues të rrogozhinasve e pret një provë jo e lehtë. Në dy prej tre përballjeve të mëparshme sezonale me Tiranën humbën dhe vetëm në një, barazuan me rezultatin 1-1.

Kastrioti-Kukësi është tjetër sfidë interesante e javës së 29-të në “Abissnet Superiore”. Në Kamëz do të përballen sot dy skuadra totalisht të kundërta, ndërsa tri pikët janë misioni i përbashkët.

Kastrioti vjen pas një suksesi shumë të rëndësishëm përballë Dinamos dhe në katër javët e fundit nuk ka humbur gjë, duke arritur të grumbullojë 12 pikë. Ndërkaq, pasi mundi të shkëputet nga “zona e ftohtë”, tani kërkon konfirmimin e jo vetëm, por edhe për t’u kapur fuqishëm pas vendit të gjashtë në klasifikim.

Në anën tjetër, skuadra e Diego Longos është përsëri forcë e tretë në kampionat dhe pse në javët e fundit ka stonuar, me tre barazime radhazi, por zona europiane është ngjeshur dhe tani gabimi më i vogël kushton shumë, duke ditur se rruga e vetme për Kukësin që sezonin tjetër të prekë Europën është vetëm kampionati. Për shkak kartonash, Gjelbrim Taipi do të jetë mungesa e sigurtë për Longon në këtë sfidë. Të dyja skuadrat, tani ndahen me vetëm 11 pikë në klasifikim.