Sport

Abissnet Superiore, sot luhen Tirana-Kastrioti, Skënderbeu-Egnatia, Dinamo-Teuta!

Java e 30-të e Abissnet Superiores në futboll dhe sot pasdite në të njëjtin orar, më 16:45 minuta nisin të luhen tre ndeshje që janë Tirana-Kastrioti, Skënderbeu-Egnatia dhe Dinamo-Teuta.

Pas më shumë se gjashtë muajsh, Tirana rikthehet të luajë në Stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet, me bardheblutë kryesues që presin një nga skuadrat më në formë të Kampionatit, Kastriotin. Kryeqytetasit kishin mundësinë ta fitonin titullin pikërisht në shtëpinë e tyre, por barazimi i Laçit ndaj Kukësit, ende mban në lojë kurbinasit edhe pse vetëm falë një mundësie minimale në lidhje me golavarazhin.

Aktualisht, Tirana është 15 pikë para Laçit e nëse fiton me Kastriotin, diferenca do të shkonte në 18 pikë, pra në po aq pikë sa kanë mbetur në lojë deri në fundin e kampionatit. Laçi qëndron në lojë nisur nga fakti se teorikisht mund t’i fitojë të gjitha takimet e mbetura dhe Tirana t’i humbasë, ndërsa kurbinasve iu duhet të mposhtin Tiranën, me një diferencë prej katër golash.

Për ndeshjen me krutanët, trajneri Orges Shehi nuk ka në dispozicion Erjon Hoxhallarin. Mbrojtësi ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë. Ndërkaq, sa i përket Kastriotit, duhet theksuar se rezulton mes skuadrave më në formë të momentit, me të besuarit e trajnerit Emiljano Çela që kanë regjistruar një seri prej pesë fitoresh radhazi e tashmë duken të sigurtë në garën e mbijetesës teksa synojnë të shmangin zonën Play Out.

Në sfidën me Tiranën, trajneri Çela nuk do të mund të jetë sot në pankinë pasi javën e kaluar u ndëshkua me të kuq ndaj Kukësit ndërsa një mungesë e madhe, padyshim që do të jetë ajo e sulmuesit kryesor të krutanëve, Kaina Nunez, për plotësim kartonësh të verdhë. Në tre përballjet e kaluara të këtij sezoni, u regjistrua nga një fitore për secilën skuadër dhe një sfidë u mbyll në barazim me rezultatin 1-1.