Sport

Abissnet Superiore, sot Teuta-Partizani!

Ditën e sotme Partizani do të udhëtojë drejt Durrësit për sfidën me Teutën, në “Niko Dovana”. Takimi që nis në orën 18:00 është i vlefshëm për javën e 26-të të “Abissnet Superiores”. Trajneri i të kuqve, Giovanni Colella doli në konferencë për shtyp, ku ndër të tjera theksoi se në garën për titull nuk janë vetëm Partizani dhe Tirana.

Situata është pak a shumë e mirë, kemi problemet tona të vogla, por në përgjithësi është e mirë. Teuta është skuadra që ka grumbulluar më shumë në këtë fazë, ndaj sigurisht që është një kundërshtar i nivelit të lartë.

Matondo dhe lojtarët e tjerë të grumbulluar me përfaqësueset

Matondo i është bashkuar skuadrës. Do të flas me të dhe më pas do të kemi një përgjigje. Sigurisht që një lojtar që luan për ekipin përfaqësues ka merita e kjo vlerësohet pozitivisht, por më pas ka rëndësi se si sillet. Mua më intereson se si ky lojtar luan për Partizanin. Për të tjerët, fatmirësisht dy lojtarë ishin në Turqi e nuk kanë patur problem me linjat ajrore, ndërsa një tjetër ishte në Poloni dhe u bashkua një ditë më pas. Nuk kemi probleme fizike përsa iu përket këtyre futbollistëve.

Gara për titull, mes Partizanit dhe Tiranës?

Po bëj profesorin e matematikës, kemi 10 ndeshje e janë 30 pikë. Edhe mund të biem, ka kohë. Vazhdoj të mendoj që për garën për titull nuk jemi vetëm ne dhe Tirana, por edhe ekipe të tjera. Ndoshta pas katër apo pesë ndeshjesh, mund të ndryshoj mendim.

Një titull kampion në karrierë me Partizanin, arritje e madhe

Sigurisht që po! Në pak raste në karrierën time kam patur mundësinë të drejtoj skuadra që kanë patur kualitetin për të fituar kampionate. Me kohën, unë kam pasur fatin të drejtoj një skuadër të fortë si Partizani e ndoshta jam përmirësuar pak edhe unë.