Aktualitet

Aeroporti i ri i Vlorës, nënshkruhet marrëveshja!

Qeveria shqiptare hodhi hapin e radhës për të bërë realitet ndërtimin e aeroportit të tretë, atë të Vlorës. Konsorciumi, i përbërë nga kompania Mabetex Group e biznesmenit Behgjet Pacolli dhe kompania turke, Yda Group do të ndërtojnë këtë aeroport përmes një investimi 104 milionë euro.

Kryeministri Rama tha se:

“Ambicia për t’i dhënë hov të ri turizmit nuk ndalet me këtë projekt. Hapim garën për Aeroportin e Sarandës, 99 milionë euro investime zgjerojmë Aeroportin e Rinasit, aeroporte sportive në Korçë e Gjirokastër. Këto investime theksoi kryeministri do të gjenerojnë shumë vende pune”. Më tej bëri të ditur se “kanë gati projektin e Akademisë së Aviacionit në Vlorë”.

Ndërkaq Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku dha të tjera detaje:

 “Punimet do të nisin  brenda 14 muajve. Do të ketë një fazë përgatitore. Kompania do të bëjë një studim të detajuar mjedisor. Do të ketë edhe një studim arkeologjik, më pas 8 muaj do të jenë në dispozicion për përmbushjen e kushteve paraprake si dhe dorëzimit përfundimtar të masterplanit. Ndërsa 6 muaj do të jenë për marrjen e lejeve.

Në fazën e parë, që përfshin ndërtimin e terminalit të pasagjerëve dhe kjo kontratë nënshkruar për 36 muaj.

Faza e dytë, e cila konsiston në zgjerimin e terminalit do të përfundojë pas vitit të 4 të operimeve. Kemi një kontratë që ndahen në faza për shkak edhe të numrit të pasagjerëve.

Aeroporti i Vlorës do të ketë jo vetëm injektimin direkt mbi 100 mln euro investim në ekonomi, por ndikimet indirekte të këtij aeroporti janë të jashtëzakonshme”, tha ndër të tjera Balluku.