Rajoni

Afganë të papranueshëm në Kosovë? SHBA-të hedhin poshtë njoftimet!

Ambasada Amerikane në Prishtinë përgënjeshtron njoftimet se në Kosovë po dërgon afganë që nuk arritën të kalojnë procesin e sigurisë e kanë nevojë për kontrolle më të hollësishme të së kaluarës.

Nga raportimet e medias është krijuar përshtypja e pasaktë se Shtetet e Bashkuara synojnë të transferojnë në Kosovë individë, të cilët autoritetet amerikane i kanë konsideruar të papranueshëm. Kjo nuk qëndron! Marrja e vizës speciale të emigrantit ose e statusit të refugjatit është komplekse dhe disa aplikantë ende janë në procesin e marrjes së dokumenteve të nevojshme e dhënies së të gjitha informatave që kërkohen për t’u kualifikuar për hyrje të menjëhershme sipas ligjit amerikan.

Marrëveshja me Kosovën lejon Shtetet e Bashkuara që në kampin Bondsteel, të strehojnë përkohësisht një numër të kufizuar qytetarësh afganë, aplikimet e të cilëve kërkojnë përpunim shtesë. Kjo mund të përfshijë detyra si: qartësimi i identitetit të aplikantëve, historinë e tyre të punësimit ose të tjera lidhje me Shtetet e Bashkuara. Zyrtarë të Ambasadës Amerikane në Kosovë po ndihmojnë procesin.

Më tej, ambasada nënvizon mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për rolin që po luan Kosova për të ndihmuar në zhvendosjen e të evakuarve nga Afganistani.

Deklarata e selisë diplomatike të Uashingtonit në Prishtinë pason raportimin e Associated Press se Amerika ka në plan që në Kosovë të dërgojë afganët që nuk kanë kaluar fazën e parë të kontrollit. Autoritetet aty pranuan t’i strehojnë refugjatët deri në një vit, gjatë kohës kur bëhen kontrolle shtesë të sigurisë. Agjencia e lajmeve ia atribuon deklaratën një zyrtari amerikan, i cili foli me AP-në, me kushtin që të mos identifikohej me emër.

Ndërkohë, po shtohet numri i afganëve që miratohen për transferim nga qendrat e tranzitit të ngritura me urgjencë në Katar, Gjermani e Itali, si dhe në pika më të vogla të përpunimit të dokumenteve në vende të tjera. Këta të evakuar, më pas dërgohen në Filadelfia apo Uashington, për t’u sistemuar në Shtetet e Bashkuara.

Të tjerë zyrtarë amerikanë parashikojnë që pjesa më e madhe ose të gjithë të evakuarit afganë, për të cilët procesi ka ngecur e kërkon analizë shtesë, ta kalojnë kontrollin e sigurisë. Si Gjermania, ashtu edhe Italia dhanë si afat maksimal dy javë kohë për të kontrolluar e miratuar nxjerrjen e të evakuarve nga vendet e tyre. Organizatat për refugjatët thonë se SHBA-të nuk janë treguar transparente apo efikase në menaxhimin e lëvizjes së refugjatëve në qendrat e tranzitit.