Bota

Afrohet stuhia diellore, ndodh një herë në shekull!

Një stuhi tepër e fortë diellore që ndodh vetëm një herë në 100 vjet, po afrohet e mund të ketë impakt shkatërrues mbi teknologjitë e ndryshme në Tokë. Një studim i ri paralajmëron se superstuhia nga ylli i sistemit tonë diellor, mund ta zhysë botën në “apokalips” të internetit. Fusha magnetike e planetit i mbron banorët nga erërat diellore duke i devijuar ato drejt poleve e krijohen aurorat e magjishme boreale.

Por një herë në 80 apo 100 vjet, për shkak të ciklit natyror të Diellit, këto erëra të mbushura me grimca me ngarkesë elektrike që burojnë prej tij shtohen duke kapur fuqinë e një superstuhie diellore.

Sipas shkencëtarëve, ajo mund të zgjasë edhe disa muaj e t`i shkaktojë rrjetit global, dëme katastrofike. Sipas studiuesve të Universitetit të Kalifornisë, ndër më të rrezikuara janë fibrat optike në distanca të gjata.

Lëshimet masive koronale, siç dhe i quajnë, janë aq të forta sa mund të kalojnë në ndërveprim me fushën magnetike të Tokës e të krijojnë rryma gjeomagnetike në koren e saj. Infrastruktura aktuale e internetit nuk është testuar për evente shumë të forta diellore, ndaj mbetet të shihet si do t’i bëjë ballë superstuhisë.