Aktualitet

Afrojnë festat e fundvitit, shtohet fluksi i udhëtarëve/Porti i Durrësit me lundrime dyfishe!

Afrimi i festave të fundvitit, shton fluksin e udhëtimeve, sidomos të shqiptarëve që kthehen për të festuar pranë familjeve në atdhe. Tragetet që lidhin Portin e Durrësit, më i madhi në vend, me brigjet italiane dhe anasjelltas që prej ditës së djeshme kanë nisur lundrimet dyfishe brenda ditës. Kjo me qëllim përballimin e fluksit, që aktualisht është i përqendruar në hyrje për në vendin tonë.

Autoriteti Portual Durrës, Kapiteneria e Portit, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Dogana dhe të gjithë operatorët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në portin më të madh në vend, janë duke operuar me kapacitet të plotë për mbarëvajtjen e fluksit të udhëtarëve në prag të festave të Fundvitit.

Po në Portin e Durrësit, fundjava e kaluar ka shënuar dhe nisjen e fluksit të hyrje-daljeve të udhëtarëve, duke regjistruar 4 mijë e 492 pasagjerë dhe gjithashtu 1 mijë e 624 mjete në këtë pikë kufitare.

Në bashkëpunim me të gjitha strukturat që operojnë në port, APD ka marrë masat për krijimin e lehtësive dhe shmangien e vonesave për çdo udhëtar që hyn apo del nëpërmjet Portit të Durrësit, duke dyfishuar kapacitetet përpunuese e vigjilencën e shërbimeve për ta.

Si çdo fundvit, edhe në kapërcyellin e viteve 2022-2023 parashikohet një rritje e ndjeshme e numrit të udhëtarëve vendas që preferojnë të udhëtojnë me tragete drejt portit të Durrësit, për t’iu drejtuar më pas familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në Kakavijë, këtë vit vihet re një fluks i dyfishuar i emigrantëve të cilët vijnë nga Greqia. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kanë mbërritur rreth 4 mijë e 700 emigrantë, ndërsa aktualisht situata duket nën kontroll. Autoritetet shqiptare janë duke punuar me tre sportele në hyrje dhe tre në dalje. Pritet që fluksi të shtohet në vigjilje të Krishtlindjeve në orët në vijim. Ndërkohë ka kontroll të shtuar në vijën e dytë të kufirit, sidomos bagazhet e mjeteve. Prenotime të shumta  janë vënë re në të gjithë juglindjen.

Në Kapshticë, në 24 orët e fundit është vënë re një shtim i fluksit të emigrantëve. Autoritete shqiptare janë duke punuar me 6 sportele, ndërsa Greqia me tre. Në këto kushte, autoritetet kanë kërkuar shtim të numrit të sporteleve nga pala greke. Rreth 3 mijë e 600 persona kanë hyrë në Shqipëri gjatë 24 orëve nga kjo pikë kufitare, ndërsa shumë të tjerë kanë kaluar drejt Greqisë, për të kaluar festat.