Rajoni

AGK raporton për tentativë sulmesh dhe vandalizime në veri të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se disa ekipe gazetarësh kanë qenë objekt i sulmeve dhe disa makina janë vandalizuar, teksa ata po raportojnë nga veriu i Kosovës, ku serbët lokalë po protestojnë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me situatën e krijuar për mediet dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga këto komuna, andaj kërkon nga kolegët që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit”, u tha në njoftim.

AGK tha se ekipi i medias Periskopi është tentuar të sulmohet nga dy persona të maskuar në Zveçan.

“Në një fotografi dërguar AGK-së, shihet se bluza e një kolegu është shqyer si shkak i tentimit të sulmit, nga i cili fatmirësisht nuk ka të lënduar”.

Për t’u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë
Ndërkaq, vetura e Top Channel në Zveçan, me të cilën po udhëtonin gazetarë të mediave të ndryshme, sipas AKG-së, është vandalizuar “me slogane nacionaliste”.

Po ashtu, në Leposaviq makinat e RTV Dukagjinit dhe të ekipit Kallxo janë vandalizuar, duke u vizatuar mbi to slogane nacionaliste dhe duke ua mbuluar targat RKS (Republika e Kosovës).

AKG-ja ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe organizatat ndërkombëtare të sigurisë, që janë të pranishme në shtet, “që të mundësojnë raportim të sigurt dhe të papenguar të ekipeve mediale”.

Në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, serbët lokalë po protestojnë kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, të zgjedhur më 23 prill.

Tensionet në veriun e Kosovës u rritën më 26 maj, kur kryetarët e këtyre tre komunave, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale.

Bashkësia ndërkombëtare ka dënuar këtë veprim të Kosovës dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shmangë “hyrjen me forcë në ndërtesat komunale”.

Kryetarët e rinj u zgjodhën pasi në nëntor të vitit të kaluar, krerët komunalë nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dhanë dorëheqje.

Lista Serbe i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./REL