Aktualitet

Ahmetaj: “Do dyfishojmë ndihmën ekonomike për 15 mijë familje!”

Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj tha sot se “qeveria ka zbatuar tre programe bashkëpunimi me OKB-në në Shqipëri, me qëllim rritjen e impaktit dhe rezultateve të zhvillimit”. Në fjalën me rastin e firmosjes së programit të përbashkët të Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm, Shqipëri-OKB 2022-2026, Ahmetaj përmendi Buxhetin e vitit 2022, duke theksuar se kanë nisur paketa me rëndësi për ata më në nevojë.

Janë 15 mijë familje me tre fëmijë nën 18-vjeç, që marrin ndihmë ekonomike. Do ua dyfishojmë ndihmën ekonomike. Ngritja jonë ekonomike është e shpejtë është gati 18%, por e pamjaftueshme. Nuk duhet të harrojmë që ky vend ka nevojë që të ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë në mënyrë që pas 10 viteve në axhendën tonë të përbashkët ‘20-‘30 të themi: Po ne e frenuam uljen e popullsisë, e rritëm arsimimin, e kthyem Shqipërinë në një Shqipëri digjitale, fëmijët tanë janë në gjendje të konkurrojnë në BE dhe patjetër globalisht.

Në një tjetër zhvillim, në fillim të muajit nëntor, Shqipëria pritet të dalë në tregun ndërkombëtar me një Eurobond prej rreth 500-700 milion eurosh. Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj paraqiti p/ligjin për emetimin e tij në tregjet ndërkombëtare. Ibrahimaj bëri të ditur se “financimi i siguruar nga Eurobondi do të përdoret në mbështetje të përgjithshme buxhetore në sektorin shëndetësor, si dhe në bujqësi, arsim e investime publike”. Sipas saj, një pjesë e financimit do të mbetet balancë në thesar për vitin 2022.

Por, opozita u shpreh skeptike. Nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku ngriti pikëpyetje në lidhje me borxhin publik të Shqipërisë. Ajo argumentoi se ekonomia shqiptare nuk ka pasur ndonjë përfitim nga rritja e borxhit, përkundrazi sipas saj, borxhi është marrë për të paguar pagat e të punësuarve.
Tabaku shtoi se “Eurobondi do të ndikohet në normën e interesit e në treg edhe nga situata e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve”.

Institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare përditësojnë me rritje, parashikimet sa i takon ecurisë së ekonomisë shqiptare. Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar e Bankës Botërore, edhe Instituti i Vjenës raporton për rritje me ritme më të shpejta të ekonomisë, krahasuar me parashikimet e fillimvitit. “Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto do të përshpejtohet në 6.4% në vitin 2021 e do të qëndrojë mbi 4.5% në periudhën afatmesme”, – thuhet në raportin e Institutit të Vjenës që në prill, rritjen ekonomike të Shqipërisë e parashikonte me rreth 4.5 %.

“Sektori i turizmit ka pasur një vit mbresëlënës dhe po i afrohet nivelit të tij para pandemisë”. Kjo është gjithashtu një pjesë që nënvizohet në raportin e Institutit të Vjenës për Shqipërinë. Dokumenti konstaton se rritja ekonomike do të udhëhiqet nga investimet e nga kërkesa optimiste e jashtme dhe e brendshme. Por, paralajmëron se rreziqet negative që rrjedhin nga tregjet ndërkombëtare e pandemia koronavirus, kërkojnë vigjilencë.