Bota

Ajo që pritej ndodhi, Emmanuel Macron humb shumicën parlamentare në Francë!

Më pak se dy muaj pas sigurimit të mandatit të dytë si president, Emmanual Macron ka humbur kontrollin e Parlamentit të Francës. Kjo pas rritjes së përkrahjes për aleancën e majtë dhe të djathtën ekstreme. Macron u bëri thirrje votuesve t’i sigurojnë një shumicë solide, por pa sukses. Koalicioni i tij i qendrës humbi dhjetëra vende në zgjedhjet që shpërfaqën ndasi të konsiderueshme në politikën franceze. Sipas Ministrisë së Brendshme, kampi qendror i Macronit fitoi 245 vende ndërsa i duheshin 289. Pas sigurimit të mandatit të dytë si president, në prill të këtij viti, shefi i Elizesë shpresonte për përkrahje më të madhe parlamentare.

I dyti u rendit Nupes, i krahut të majtë, me 131 vende në Asamble. Ky bllok drejtohet nga Jean-Luc Melenchon dhe siguroi një rezultat të mirë në balotazhin parlamentar të një dite më parë. Lideri i së majtës ekstreme u shpreh i kënaqur për suksesin e arritur, pas bashkimit të partive të komunistëve e të gjelbërve në aleancën Nupes.

Partia e ekstremit të djathtë, Marshi Kombëtar, nën drejtimin e Marine Le Pen doli e kënaqur nga zgjedhjet e tani do të ketë 89 deputetë, një fitore më e madhe nga sa u parashikua në sondazhe.

Kryeministrja franceze, Elisabeth Borne, tha se situata është e pashembullt. Sipas saj, Franca moderne nuk ka pasur kurrë një përbërje të tillë parlamentare.

Kjo situatë përbën rrezik për shtetin tonë, duke marrë parasysh rreziqet me të cilat jemi duke u përballur si në aspektin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Më 5 korrik, kryeministrja franceze, Elisabeth Borne do të paraqesë programin e qeverisë. Në fokus, një ligj i ri për Shëndetësinë, që mundëson kufizimet kundër koronavirusit edhe pas shfuqizimit të gjendjes së emergjencës kombëtare, në fund të muajit të ardhshëm. Ndërkohë, pritet të hyjë në fuqi një ligj për fuqinë blerëse, që parashikon ndihma të reja për francezët në nevojë, për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve.