Aktualitet

Akademia e barinjve, ministrja Krifca sqaron keqkuptimin me fjalën akademi!

Në Komisionin e Ekonomisë ku sot u shqyrtua buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, ministrja Frida Krifca sqaroi projektin për të hapur “Akademinë e Barinjve”, pasi me nota të forta ironie e deri në sarkazëm u komentua gjerësisht edhe në rrjetet sociale. Krifca vuri në dukje se është marrë si shembull në disa vende të ndryshme në botë, me qëllim krijimin e një qasje drejt zgjidhjes së migrimit të njerëzve nga profesioni i bujkut.

Pati një keqkuptim të ndodhur me artikulimin e fjalës akademi. Fjalën nuk e kemi shpikur, e kemi parë në disa vende të botës, si Zvicër e shumë të tjera. Ka një qasje të migrimit të profesioneve, të atyre të vështirë. Po përpiqemi të japim mbështetje për këtë profesion, për angazhim të mëtejshëm. E kemi konsultuar edhe me donatorët.

Të mbështesim stanet me infrastrukturën e nevojshme apo edhe me panele diellore. Eshtë një program që do ta përforcojmë për ta ruajtur traditën, jo vetëm te barinjtë, por edhe të fermerët e rinj. Do kemi kohë ta shpalosim programin në vijim.

Buxheti i vitit 2022 pritet të jetë një mbështetje e lartë për fermerët dhe jo vetëm.

Kemi Buxhetin më të madh që kemi patur ndonjëherë. Tek Buxheti 2.2 miliardë do të jetë mbështetja direkte për fermerët. Ne i kemi monitoruar çmimet, çmimet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm. Për blegtorinë do të jepet mbështetje e drejtpërdrejtë me lek për litër. Ne kemi rritje të eksporteve me 16.4 % dhe kjo tregon se kemi vëmendjen te bujqësia. Po synojmë të shkojmë drejt një bujqësie me rendiment të lartë, duke synuar të shfrytëzojmë çdo centimetër tokë.

Në mbledhjen e sotme, deputeti socialist Erion Braçe trajtoi disa shqetësime dhe problematika me të cilat, sipas tij po përballen bujqit.

T’i shtosh një tjetër hall që vjen nga apo paqëndrueshmëria e politikave qeverisëse është shumë. Kudo mund të mbajë struktura, por te bujqësia nuk mban. Ju e njihni fare mirë. Problemi i parë është qëndrueshmëria e politikave në bujqësi, e skemave të mbështetjes. Të paktën ta dijë bujku se kush do të jetë politika e mbështetjes për të. Po ashtu, politikat e taksimit janë të paqëndrueshme dhe nuk e ndihmojnë prodhimin në fshat. Nëse qeveria apo qeveritë bënë shumë mirë që kanë mbështetur pikat e grumbullimit, në anën tjetër taksimin nuk e ka ndihmuar. Eshtë momenti të ulemi, t’i japim fshatit atë që i takon. Ju keni shumë të drejtë që shtoni para’, por a mjaftojnë ato para’? Shihni shifrat e tremujorit të dytë, i vetmi sektor që nuk ka rritje. Po shikoja disa lajme që duan nesër të mbyllin të gjitha pikat e grumbullimit, po bujqit çfarë do të bëjnë?

Në një tjetër Komision, te Veprimtaria Prodhuese, u mësua se naftëtarët e Ballshit do të marrin sërish pagë nga shteti edhe për 2 vitet në vijim, 2022 e 2023. Këtë bëri me dije Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Marrëveshja 1-vjeçare që naftëtarët kishin lidhur me qeverinë shqiptare përfundoi e duket se kjo është zgjidhja që ka gjetur ekzekutivi për dy vitet e ardhshme. Paga do të jetë 30 mijë lekë.