Rajoni

Aksident hekurudhor në Kroaci, shënohen viktima!

Tre persona humbën jetën dhe 11 të tjerë u plagosën, pas përplasjes së një treni me pasagjerë me një tren mallrash, në qendër të Kroacisë. Në atë me pasagjerë udhëtonin 13 persona, ndërsa në të mallrave, vetëm makinisti. Aksidenti ndodhi mbrëmjen e djeshme pranë qytezës Novska, në afërsi të kufirit të Kroacisë me Bosnje-Hercegovinën, siç njoftoi policia kroate.

Për t’u njohur nga afër me situatën, në vendngjarje shkuan kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, i shoqëruar nga të tjerë zyrtarë të kabinetit qeveritar që drejton. Paraprakisht, shefi i ekzekutivit të Zagrebit vuri në dukje se errësira e bënte të vështirë përcaktimin e numrit të saktë të viktimave, por më pas u konfirmua se tre persona humbën jetën.

11 vetë u plagosën dhe për disa prej tyre raportohet se janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndonëse të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Mes të lënduarve ka edhe shtetas të huaj. Trenat e dëmtuar u larguan nga shinat. Ndërkohë, vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit hekurudhor e përcaktuar shkakun e përplasjes fatale mes dy trenave.