Automjeti luksoz përplaset me makinën e policisë, katër të plagosur në Tiranë, mes tyre dy efektivë. Aksidenti ndodhi rreth orës 05:00 të mëngjesit te ura e “Vasil Shantos”. Nga përplasja e dy mjeteve tip “BMW” dhe “Skoda” e Patrullës së Përgjithshme të Policisë Nr.2 u lënduan dy drejtuesit e moshave 31 e 36-vjeç, si edhe pasagjerët. Të dëmtuarit u dërguan në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore të specializuar.
Njoftimi paraprak i Policisë:
Rreth orës 05:15, te ura e “Vasil Shantos”, janë përplasur dy automjete, konkretisht automjeti tip “Skoda” i Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Nr. 2 me drejtues Inspektor B. M., 31 vjeç, dhe automjeti tip “BMW” me drejtues shtetasin N. B., 36 vjeç.
Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar dy drejtuesit e automjeteve, si dhe pasagjerët, shtetasi G. N., 38 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “BMW” dhe punonjësi i Patrullës së Përgjithshme Inspektor J. B., 22 vjeç, që ndodhej në automjetin tip “Skoda”.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
Paraprakisht, mësohet se të dy drejtuesve të mjeteve, iu bë testi i alkoolit dhe rezultoi që nuk kishin konsumuar pije alkoolike.