Bota

Aksident me 5 viktima në Itali/Dëshmitarët përshkruajnë skena apokaliptike!

Aksident i rëndë rrugor në Itali, humbin jetën pesë të rinj të moshave 17-22/vjeç. Një vajzë dhe katër djem gjetën vdekjen në rrugën provinciale 45, në komunën Rezzato në Brescia, nga përplasja e një makine me një autobus, në mbrëmje vonë. Fatkeqësisht, që të pestë ndërruan jetë në vend dhe siç raportojnë mediat në shtetin fqinj, referuar burimeve policore, nuk patën as mundësinë më të vogël për t’u dërguar në spital. Rruga u mbyll përkohësisht për qarkullimin e mjeteve.

Disa prej viktimave nuk janë me origjinë italiane, por të gjithë ishin me banim në Valsabbia. Ata gjendeshin në bordin e autoveturës që u përplas me autobusin, rreth orës 22:30 minuta teksa drejtohej për në Brescia. Të rinjtë u identifikuan si Dennis Guerra,  El Harram Imad e Natiq Imad, të tre 20-vjeçarë, si edhe Natiq Salà 22-vjeç e Irene Sala, 17-vjeçe.

Dëshmitarët në vendngjarje treguan për një skenë apokaliptike.

Drejtuesi i autobusit ku nuk kishte pasagjerë, mbeti i plagosur lehtë. I tronditur, 58-vjeçari tha se u gjend përballë makinës, pa mundur ta shmangë kur mjeti i viktimave preku korsinë e kundërt. Në vendngjarje shkuan të afërm të viktimave e disa dëshmitarë në gjendje shoku për atë që panë, folën për “skena apokaliptike, si ato që përshkruhen në filma për fundin e botës”.