Aktualitet Lajmet e fundit

Aksident rrugor në Shkodër, humbin jetën dy polakë!

Aksident i rëndë në aksin Shkodër-Lezhë ku në Kryebushat, dy shtetas nga Polonia humbën jetën. Viktimat po lëviznin me motor kur u përplasën me një automjet  tip “Volkswagen”, me drejtues një 27 vjeçar me iniciale D.GJ.  Nga informacionet paraprake, dyshohet se ky i fundit ishte shkaktari i aksidentit, pasi nuk përjashtohet mundësia e një manovre të gabuar që duke tentuar të hyjë në hapësirën e një karburanti në zonë, t’i ketë prerë rrugën turistëve.

Drejtuesi i makinës u shoqërua nga policia. Blutë e Shkodrës bëjnë të ditur se nga kryerja e alkool-testit, nuk rezultoi të kishte konsumuar alkool. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon kryerjen e veprimeve për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit rrugor me pasoja fatale.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 11:20, në rrugën nacionale Shkodër-Lezhë,  në vendin e quajtur “Kryebushat”, një automjet tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin D. Gj., 27 vjeç, është përplasur me një motomjet, në të cilin udhëtonin 2 shtetas të huaj polakë (turistë).

Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit, shtetasi Waldemar MakoWski, 45 vjeç dhe pasagjerja në motomjet, shtetasja Marta MakoWska,., 42 vjeçe.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi D. Gj., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Shkodër, për veprime të mëtejshme procedurale. Nga kryerja e alkool-testit ndaj drejtuesit të automjetit, shtetasit D. Gj., ka rezultuar se nuk kishte konsumuar alkool. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryhen veprimet për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Mësohet se dy turistët janë dërguar pa shenja jete në spitalin rajonal të Shkodrës. Referuar shifrave zyrtare të INSTAT-it, në muajin mars 2022 numërohen 101 aksidente rrugore nga 119 të ndodhura në mars 2021 në vendin tonë, duke u ulur me 15.1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në tremujorin e parë të vitit 2022, numërohen 285 aksidente rrugore nga 323 të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 11.8%.