Aktualitet

Aksidentet vazhdojnë të përgjakin rrugët shqiptare/Edhe dy viktima në Durrës e Kavajë!

Pas aksidentit tragjik të një nate më parë, përgjaken sërish rrugët shqiptare. Në afërsi të Spitalit të Durrësit, një betoniere shtypi një person që lëvizte me biçikletë, i cili fatkeqësisht gjeti vdekjen e menjëhershme. Nisën hetimet për të përcaktuar shkaqet.

Një 30-vjeçare ndërroi jetë në vendin e quajtur Përroi i Rikajt në Kavajë. Duke drejtuar automjetin, dyshohet se humbi kontrollin dhe doli nga rruga. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit fatal.

Kavajë/Informacion paraprak

Në datë 10.03.2023, në vendin e quajtur Përroi i Rikaj, Kavajë, shtetasja R. C., 30 vjeçe, duke drejtuar automjetin e saj, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka dalë nga rruga. Si pasojë e aksidentit 30-vjeçarja ka ndërruar jetë në vendngjarje. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Tre të rinj gjetën vdekjen dje në Tiranë kur një makinë ra nga një mbikalim për shkak të shpejtësisë. Me drejtuesin Klevis Ruçaj ndërruan jetë edhe pasagjeret Erisilda Abedini, 22 vjeçe e Sikela Përroj, 23. Klevis Ruçaj kishte mbi një vit me patentë. Por, në një kohë të shkurtër, policia e ka ndëshkuar pesë herë për shkelje të ndryshme, përfshirë shpejtësinë tej normave e moszbatimin e sinjalistikës. Në aksidentin e djeshëm pati edhe të plagosur që janë jashtë rreziku për jetën.

Nga matjet e ekspertëve në terren, rezultoi se “Audi” udhëtonte me një shpejtësi mbi 200 km në orë dhe shenjat e para të frenimit i dha vetëm 27 metra larg rrotullimit duke mos patur asnjë mundësi për shmangien e tragjedisë. Edhe më herët, e njëjta zonë njihet për probleme sa i përket aksidenteve me pasoja kryesisht të mjeteve që udhëtonin nga Elbasani në Tiranë.