Aktualitet Rajoni

Aksidenti hekurudhor i 28 shkurtit, Greqia e paralizuar nga greva 24-orëshe!

Një grevë 24 orëshe në Greqi po bllokon fluturimet me avionë e ka bërë që anijet të mbeten të ankoruara në port. Kryhen vetëm fluturimet emergjente e për operacione kërkim-shpëtimi. Punonjësit lanë punën për të protestuar për aksidentin më vdekjeprurës hekurudhor të regjistruar në vendin fqinj e që më 28 shkurt shkaktoi vdekjen e 57 personave, mes tyre 4 shqiptarë.

E thirrur nga sindikatat më të mëdha të Greqisë, greva nuk ka kursyer shërbimet publike e çoi në mbylljen e shkollave shtetërore, si dhe ka ndërprerë transportin urban. Ajo është e fundit në një sërë protestash që nga përplasja e një treni pasagjerësh me më shumë se 350 persona në bord, shumica studentë, me një mallrash në rajonin qendror Tempi. Punonjësit e hekurudhave kanë organizuar greva të vazhdueshme.

Qeveria konservatore e sistemi politik akuzohen për shpërfilljen e thirrjeve të përsëritura nga sindikatat mbi masat e mangëta të sigurisë në hekurudhat greke.

Duam të shprehim zhgënjimin për atë që nuk është bërë ndër vite, por mbi të gjitha zemërimin për atë që ndodhi në Tempi. Nuk do të lejojmë që mungesa e transparencës, fshehja, heqja dorë nga përgjegjësitë dhe çdo vonesë të çojë në harresë. Qeveria të marrë masa e të parandalojë një fatkeqësi tjetër. Duhet hetim i plotë për shkaqet e përplasjes.

Ndërkaq, një hetim gjyqësor vazhdon lidhur me aksidentin. Përplasja ka ngjallur zemërim publik. Javën e kaluar, mijëra vetë u mblodhën në Athinë dhe të tjera qytete anembanë Greqisë, në protestat më masive me të cilat është përballur qeveria që kur mori pushtetin në vitin 2019.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, mandati i të cilit përfundon në korrik, kërkoi falje për aksidentin e premtoi të punësojë më shumë personel, si dhe të ndreqë problemet në sektorin hekurudhor, me mbështetjen e Bashkimit Europian. Protestuesve u bëri thirrje të mos lejojnë zemërimin të përçajë shoqërinë.

Ne duhet ta fitojmë këtë luftë. Jam i vendosur të eliminoj faktorët që çuan në katastrofë.