Bota

Aksidenti hekurudhor tragjik në Indi, kryeministri Modi zotohet për ndëshkime të ashpra!

India është tronditur nga aksidenti më i fundit tragjik hekurudhor ku nga përplasja e tre trenave në lindje të vendit, humbën jetën të paktën 288 persona. Kryeministri indian, Narendra Modi bëri një paralajmërim të fortë:

Njerëzit që do të shpallen fajtorë për aksidentin vdekjeprurës me trena, në lindje të Indisë do të ndëshkohen ashpër.

Të paktën 288 persona humbën jetën e më shumë se 800 mbetën të plagosur, në aksidentin e dy ditëve më parë, në rajonin Odisha. U përfshinë dy trena me pasagjerë dhe një tjetër mallrash.

Ekipet e kërkim-shpëtimit e përfunduan punën në terren dhe zyrtarët raportuan se u gjetën që të gjithë pasagjerët e bllokuar e të plagosur. Narendra Modi shkoi për të vizituar vendin ku ndodhi aksidenti dhe të gjithë ngjarjen e cilësoi “të rëndë”.

Shefi i qeverisë së Indisë u takua edhe me disa të plagosur në spital, ndërsa u zotua që kabineti që drejton të mos lërë gur pa lëvizur, për të mundësuar trajtimin e duhur të tyre.

Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi përplasjen fatale, që po përshkruhet si aksidenti më i rëndë i këtij shekulli në Indi. Besohet se rreth 2 mijë pasagjerë gjendeshin në dy trenat e përplasur.

Dje ishte ditë zie në Indi, e shpallur me një vendim të qeverisë vendore. Pamjet që erdhën nga vendngjarja ishin të rënda. Aty shiheshin vagona të dëmtuar të mbetur mbi binarë ose pranë tyre dhe disa ishin me rrota të ngjitura lart, të tjerë me tavane të hapur, të grisur e xhamat e thyer.

Për shkakun e aksidentit ende po hetohet. Ndërkaq, mendohet se një tren pasagjerësh doli nga shinat para se të goditej nga një tjetër, në një shinë ngjitur. Në këtë aksident fatal u përfshi dhe treni i mallrave.

India ka regjistruar një aksident të rëndë hekurudhor edhe në vitin 1981, 42 vjet më parë, kur një tren i mbingarkuar pasagjerësh doli nga binarët e përfundoi në ujërat e një lumi, në një kohë kur cikloni kishte goditur rajonin Bihar, duke lënë të vdekur të paktën 800 persona.