Aktualitet

Aksidenti i 8 majit në Tiranë, Gjykata lë në burg Ajas Sulejmanin!

Lihet në masën e arrestit me burg, Ajas Sulejmeni, 39-vjeçari i cili të dielën e kaluar më 8 maj aksidentoi rëndë një çift bashkëshortësh e gjithashtu përplasi foshnjën e tyre në karrocë, në vijat e bardha në Rrugën e Kavajës, në Tiranë. Sot në seancë gjyqësore, përpara gjykatës, avokati i mbrojtës i Sulejmenit, Elton Hyseni kërkoi masë më të butë sigurie, atë “Arrest shtëpie”, me pretendimin se është baba i tre fëmijëve të mitur. Por, nuk iu pranua.

Një tjetër kërkesë drejtuar gjykatës po nga avokati, ishte që klienti i tij të hetohej me masën e sigurisë “Burg me afat,” deri në përgjigjen e ekspertimit autoteknik, si dhe përgjigjes së analizave të urinës e gjakut për të parë nëse ai kishte konsumuar apo jo lëndë narkotike. Vetë Ajas Sulejmeni nuk ka folur asnjë fjalë përpara gjykatës, përveç fjalisë se është dakord me avokatin. Në fund, gjykata rrëzoi pretendimet e tyre duke e lënë në burg Sulejmanin.

Mbi të rëndojnë tre akuza: ajo e shkeljes së rregullave të qarkullimit me pasojë, drejtim të automjeteve në mënyrë të parregullt nën ndikimin e drogës, si dhe largim nga vendi i aksidentit.

Policia ka referuar  të gjithë dinamikën e aksidentit ku përmend se në Rrugën e Kavajës, një mjet fuoristradë ka qarkulluar dhe është përplasur me Arjan e Vilma Konomin. “Çifti ka pasur karrocën e dorës me fëmijën tre muajsh, karroca u rrëzua pa u goditur”, thonë ekspertët e policsë rrugore.

Mjeti është lënë në vendngjarje, aty u gjetën dokumenta personale dhe një telefon, pas rreth dy orësh është e bërë mundur kapja e drejtuesit të automjetit që u gjet tek një spital privat në Tiranë. Nga testi i dragerit rezultoi se ai nuk kishte pirë alkool, por nga testi drogësmatës doli se ishte nën ndikimin e lëndëve narkotike, specifikisht, marijuanë e metamenfinë. Aktualisht, çifti Konomi ende ndodhet në spital, pasi dy bashkëshortët kanë dëmtime të rënda, ndërsa foshnja doli nga spitali, dy ditë më parë.