Aktualitet

Aksidenti i frikshëm në Tiranë, drejtuesi i “Audit” i gjobitur shpesh!

Identifikohen dy vajzat që humbën jetën në aksidentin e frikshëm të një nate më parë në Tiranë ku makina me drejtues të riun Klevis Ruçaj ra nga mbikalimi për shkak të shpejtësisë. Krahas Ruçajt, ndërruan jetë edhe Erisilda Abedini, 22 vjeçe e Sikela Përroj, 23. Që të tre gjendeshin në automjetin tip “Audi” me shpejtësi skëterrë.

Klevis Ruçaj kishte mbi një vit me patentë. Por, në një kohë të shkurtër, policia e ka ndëshkuar pesë herë për shkelje të ndryshme, përfshirë shpejtësinë tej normave e moszbatimin e sinjalistikës. Në aksidentin e djeshëm pati edhe të plagosur që janë jashtë rreziku për jetën.

Automjeti tip “Audi” me drejtues 20-vjeçarin Klevis Ruçaj, me dy vajzat pasagjere në makinë po udhëtonte në Unazën Lindore me drejtim lëvizjeje nga Farka për te rrethrrotullimi pranë një qendre tregtare. Për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara, mjeti nuk u fut në rrethrrotullim, por u përplas me barrierat anësore duke i çarë e përfundoi disa metra më poshtë ku u përplas me një mjet tjetër që po udhëtonte drejt Elbasanit, një makinë tip “Honda”, me drejtues personin me iniciale Q. K., rreth 60 vjeç. Ky i fundit dhe dy pasagjerë që ishin me të mbetën të lënduar.

Nga matjet e ekspertëve në terren, rezultoi se “Audi” udhëtonte me një shpejtësi mbi 200 km në orë dhe shenjat e para të frenimit i dha vetëm 27 metra larg rrotullimit duke mos patur asnjë mundësi për shmangien e këtij aksidenti të rëndë.

Edhe më herët, e njëjta zonë njihet për probleme sa i përket aksidenteve me pasoja kryesisht të mjeteve që udhëtonin nga Elbasani në Tiranë. Këto aksidente sollën edhe nevojën për të rindërtuar rrugën duke krijuar rrethrrotullimin në fjalë, por që sërish nuk i shmangu aksidentet.