Aktualitet

Aksidenti i frikshëm, pasdite zhvillohet tubim sensibilizues në Tiranë!

Me moton “Karroca e jetës”, për sot në orën 18:00 është thirrur një tubim paqësor në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet. Kjo një ditë pas ngjarjes së rëndë në Rrugën e Kavajës në Tiranë, ku pranë atyre që njihen si pallatet Delijorgji, një çift bashkëshortësh dhe foshnja e tyre në karrocë u përplasën nga një makinë teksa kalonin mbi vijat e bardha, duke respektuar edhe semaforin.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, kërkoi reflektim të menjëhershëm e gjithashtu urdhëroi ngritjen e një grupi inspektimi nga Departamenti i Sigurisë Publike, “për të kontrolluar, analizuar, evidentuar mangësitë, si dhe për të marrë masa konkrete ndëshkimore, për personat përgjegjës për aksidentet rrugore të ndodhura apo për rezultate të dobëta në punë”.

Në një njoftim të Policisë, theksohet:

Drejtori i Përgjithshëm, nëpërmjet një telegrami urgjent për strukturat, ka kërkuar që drejtuesit e strukturave Policore të jenë në krye të shërbimeve, për t’i organizuar dhe orientuar, që të fokusohen në ato shkelje që janë burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Gjithashtu, drejtor Nano, ka urdhëruar ngritjen e një grupi inspektimi nga Departamenti i Sigurisë Publike për të kontrolluar, analizuar dhe evidentuar mangësitë, si dhe për të marrë masa konkrete ndëshkimore, për personat përgjegjës për aksidentet e ndodhura apo për rezultate të dobëta në punë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit kërkon edhe njëherë bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe të denoncojnë çdo abuzim me detyrën të punonjësve të Policisë Rrugore apo për mosveprim a plogështi në veprime, duke i siguruar për reagim të menjëhershëm dhe të ashpër, ndaj çdo drejtuesi mjeti dhe ndaj secilit punonjësi Policie, që me mosveprimet e tij, cënon rëndë sigurinë e jetës në rrugë.

Njëkohësisht, Nano falënderon mediat dhe i inkurajon që të bëjnë publike çdo shkelje të rregullave të qarkullimit e të kontribuojnë sëbashku në rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.