Aktualitet

Aksidenti misterioz në Fier, RENEA ndërpret kërkimet në Seman/ Nuk gjendet asnjë makinë!

Vazhdon misteri për aksidentin e sotëm në Fier ku u dyshua se një makinë mund të kishte përfunduar në ujërat e lumit Seman në orët e para të mëngjesit. Gjithçka mori shkas nga evidentimi i parmakëve të thyer në njërën anë të urës së Mbrostarit, një pjesë e të cilëve përfundoi në ujë. Poshtë urës u gjet pjesa e përparme e mjetit, por ende asnjë gjurmë tjetër nga automjeti.

Burime nga vendngjarja thanë se aty u zbulua edhe një targë makine që nga verifikimet rezultoi të jetë marrë me qira nga një shtetas i moshës 26-vjeç me banim në Fier, telefoni i të cilit rezulton i fikur. Edhe në këtë rast, nuk përjashtohet që zbulimi i targës të jetë një rastësi.

Njoftimi paraprak zyrtar i Policisë Fier:

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në vendin e quajtur “Ura e Mbrostarit” janë konstatuar të thyer parmakët anësore të njërit krah të kësaj ure.

Në anë të rrugës u gjet targa e një automjeti. Nga verifikimet rezultoi se kjo targë i përket një makine të marrë me qira nga shtetasi M. L., 26 vjeç, banues në Fier, me të cilin nuk është bërë e mundur marrja e kontaktit pasi numri telefonit del i fikur.

Priten polumbarët e RENEA-s për të kontrolluar përgjatë lumit me qëllim gjetjen e automjetit nëse ka rënë në lum.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Ndërkohë, polumbarët e RENEA-s shkuan në vendngjarje e kryen kërkime, të mbështetur nga një varkë. Për shkak se rryma e fortë e thellësia përbënin pengesë kërkuan edhe mbylljen e digës së Gramshit, me qëllim që të bëhej e mundur ulja e nivelit të ujit. Më tej, kërkimet u ndërprenë pasi nuk dhanë rezultat. Nuk u gjet asnjë makinë e fundosur në ujërat e lumit Seman në Fier.