Rajoni

Aksidenti në Kroaci, 30 ditë paraburgim shoferit të autobusit, e paqartë nëse u përgjum në timon!

“30 ditë burg”! Kjo ishte masa e sigurisë e dhënë sot nga Gjykata e Qarkut në Sllavonski Brod për shoferin e autobusit me kosovarë që dy ditë më parë u aksidentua në Kroaci e për pasojë humbën jetën 10 vetë. Sipas autoriteteve kroate, ekziston rreziku që 52-vjeçari, shtetas i Kosovës, të arratiset.

Zagrebi e Prishtina kanë marrëveshje bashkëpunimi për çështje penale por jo për ekstradimin e shtetasve kosovarë. Procedurat do të zhvillohen në Kroaci ndonëse sipas një akordi mes Kosovës e Kroacisë, ekziston mundësia ligjore që të kryhen edhe në Kosovë nëse të dy vendet japin dakordësinë e në rast se e kërkon mbrojtja.

Zv.prokurori i Shtetit për qarkun Sllavonski Brod, Franjo Kopunic konfirmoi se do të kërkohet ekspertizë e detajuar e autobusit.

I arrestuari do të mbrohet nga dy avokatë: Igor Cishper dhe Lubo Pavasovic Viskovic. Njëri prej tyre, Cishper i tha gazetarëve se “në asnjë moment, klienti nuk i tha se e zuri gjumi në timon”.

Për hetuesit kroatë ekziston dyshim i bazuar se 52-vjeçari po drejtonte autobusin në anën jugore të autostradës, në kundërshtim me ligjin për qarkullimin rrugor.

Për shkak të lodhjes dhe pamundësisë për ta drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, nuk respektoi distancën e përfundoi në sipërfaqen me bar në anë të rrugës ku autobusi me 67 pasagjerë e dy shoferë, përfundoi i përmbysur.

Në Kroaci vazhdojnë të qëndrojnë në spital 15 nga të plagosurit, njëri prej të cilëve në gjendje kritike. 26 vetë që dolën nga spitali sot kthehen në Kosovë.

Prishtina zyrtare njoftoi se ende vazhdojnë procedurat për kthimin në Kosovë të trupave të pajetë të viktimave që udhëtonin nga Frankfurti në Prishtinë. Në Kosovë, dje ishte ditë zie për të nderuar viktimat e aksidentit në Kroaci.