Rajoni

Aksidenti në Kroaci, dëshmojnë të mbijetuarit: Gjithçka brenda një minute!

Të gjithë jemi tronditur nga aksidenti tragjik në Kroaci që u kushtoi jetën 10 pasagjerëve që vinin nga Gjermania drejt Kosovës, por edhe më të shokuar janë personat që ishin dëshmitarë të përplasjes së autobusit ku udhëtonin të paktën 67 vetë.

Në një linje direkte për Radio Televizionin e Kosovës, RTK dy nga personat që i kanë mbijetuar këtij aksidenti kanë treguar sesi rrodhi ngjarja.

“Ka ndodh brenda një minute. Vetëm kemi parë se është rrëzuar autobusi. Kemi parë vdekjen me sy. Shoferët kanë qenë në gjumë. Ata janë ndërruar kohë pas kohe”, u shpreh një prej të mbijetuarve.

Një tjetër pasagjer i cili ishte brenda autobusit që u aksidentua, tregoi se të lënduarit janë mirë.

“Autobusi ka shkuar zvarrë diku rreth 100 metra. Të lënduarit janë më mirë”, ka pohuar një tjetër person mes pasagjerëve të urbanit.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme në Prishtinë ka bërë të ditur se qytetarët që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre të aksidentuar në Kroaci mund të kontaktojnë në numrin +383 (0) 38 200 76 000.

Nga kjo ministri kanë thënë se janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet Kroate të cilët i kanë ndihmuar për ndihmën e dhënë në menaxhimin e situatës.

10 persona humbën jetën e mbi 40 të tjerë janë lënduar në një aksident tragjik që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Slavonski Brod të Kroacisë. Në mesin e viktimave është edhe një prej shoferëve të autobusit, i cili në momentin e aksidentit nuk ishte në timon.