Rajoni

Aksidenti tragjik në Bullgari, kur ra zjarri në autobus?

Kanë kaluar më shumë se 24 orë nga aksidenti tragjik në Bullgari ku në autostradën “Struma”, 45 km në perëndim të kryeqytetit Sofje, humbën jetën 45 udhëtarë të një autobusi që u dogj dhe mbijetuan 7 të tjerë. Pasi kishin kaluar tre ditë pushimi në Stamboll të Turqisë, viktimat, shumica shtetas të Maqedonisë së Veriut, ktheheshin në Shkup. E ndërsa sot në Maqedoninë e Veriut, Bullgari e Kosovë është ditë zie, autoritetet në Shkup po ndërhyjnë në morinë e informacioneve të shumta lidhur me shkaqet e mundshme.

Ndër të tjera, u njoftua se automjeti mori flakë pasi brenda tij kishte karburant e mjete piroteknike. Kjo i ka shtuar pikëpyetjet se kur ndodhi shpërthimi në autobus e nuk ka një përgjigje nëse para apo pas përplasjes?

Për ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, këto janë spekulime:

Mendoj se tani nuk është koha të spekulojmë, sepse sërish familjet janë të lënduara, janë në gjendje të rëndë emocionale. Çdo spekulim që nuk është i konfirmuar, vetëm do ta rëndojë më shumë gjendjen e tyre. Të lënduarit të shërohen, të përfundojë identifikimi i viktimave dhe hetimi të vazhdojë!

Në një spital bullgar, dy prej shtatë të plagosurve iu nënshtruan një operacioni kirurgjikal. Planet janë që ata të qëndrojnë deri të premten e kësaj jave më pas do të mendohet mbi rikthimin në Shkup, në varësi të gjendjes së tyre shëndetësore.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut nisën procedurën për heqjen e licencës së kompanisë që ka në pronësi autobusin që po ruhet nga policia bullgare. Kjo kompani kishte leje për transport ndërkombëtar, por jo për një automjet të caktuar, fakt që po nxit shumë debate në vendin fqinj. Aksidenti rrugor i orëve të para të mëngjesit të djeshëm në autostradën Sofje-Bllagojevgrad, pranë fshatit Bosnek, cilësohet më i rëndi i 10 viteve të fundit në rrugët e Europës.