Lajmet e fundit Rajoni

Aksidentohet autobusi me kosovarë në Kroaci, të paktën 10 viktima!

Aksident tragjik në Sllavonski Brod, në autostradën A4 në Kroaci, me 10 viktima e 44 të plagosur, 15 në gjendje të rëndë. Një autobus me targa të Kosovës që udhëtonte nga Frankfurti i Gjermanisë për në Prishtinë doli nga rruga rreth orës 06:20 të mëngjesit. Aty udhëtonin 69 vetë: 67 pasagjerë e 2 shoferë.

Autoritetet kroate njoftuan:

Sipas informacionit që kemi, 10 persona kanë vdekur e dhjetëra të tjerë janë dërguar në spitalin në Sllavonski Brod për trajtim mjekësor. Shumë janë në rrezik për jetën.

 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shprehu ngushëllime:

Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë!

Kryeministri Albin Kurti:

Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për aksidentin tragjik në Kroaci, të një autobusi me targa të Kosovës. Ndonëse ende nuk kemi konfirmime zyrtare për detajet, lutemi të ketë sa më pak të vdekur e sa më shpejt të shërohen të lënduarit! Ministri ynë i Punëve të Brendshme po niset për Kroaci, ndërkaq drejt vendit të aksidentit te autostrada e Sllavonski Brodit tashmë është nisur ambasadori ynë në Zagreb.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta shprehu ngushëllime. Përmes një postimi në Facebook, gjithashtu Meta iu uroi të lënduarve, shërim të shpejtë! Presidenti falenderoi edhe autoritet kroate, në veçanti për kujdesin shëndetësor të ofruar për të plagosurit.

Kryeministri Edi Rama:

Çfarë fatkeqësie pikëlluese lajmi nga Kroacia për humbje jetësh të vëllezërve e motrave nga Kosova. Lutem që të plagosurit rëndë t’ia dalin dhe ngushëllime vëllazërore familjeve të viktimave!

Për aksidentin tragjik ku u përfshi autobusi me targa të Kosovës, reagoi edhe kryedemokrati Basha:

Me trishtim të thellë mora lajmin e rëndë të aksidentit tragjik të ndodhur në Kroaci, në të cilin sipas të dhënave të para ka viktima dhe të plagosur. I bashkohem dhimbjes së familjarëve dhe të afërmve dhe ju shpreh ngushëllimet më të ndjera! Shërim të shpejtë të lënduarve. Zoti t’ju japë forcë për të përballuar këtë tragjedi, që na ka tronditur të gjithëve!

Në vendin tonë, të shumta janë mesazhet e ngushëllimit të politikës, mes tyre edhe nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryediplomatja Olta Xhaçka, kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj e shefi i grupit socialist Taulant Balla.

Në Kroaci, vendin ku ndodhi aksidenti, nuk mungoi mesazhi i kryeministrit Andrej Plenkovic:

Jemi pranë familjeve të viktimave, autoriteteve dhe popullit të Kosovës, të cilëve iu shprehim ngushëllime të thella! Shpresoj që pasagjerët e plagosur të shërohen!