Aktualitet

Bien në humnerë dy alpinistë në Munellë të Pukës, me ta dhe gazetari Alfred Lela

Një grup alpinistësh, mes tyre edhe gazetari, Alfred Lela janë rrëzuar teksa ngjisnin malin e Munellës në Gjegjan të Pukës. Mësohet se shkak është bërë moti i keq me stuhi të fortë dhe borë, ku një alpinist është zhdukur, e ndërsa një tjetër së bashku me gazetarin Lela kanë mbetur të plagosur.

Lela ka deklaruar se teksa ata bënin ngjitje në mal në kushte të vështira të motit kanë rrëshqitur në borë dhe kanë marrë dëmtime, ndërsa vijojnë kërkimet për alpinistin që ka humbur kontaktet.

Alfred Lela ka qenë bashkë me katër persona të tjerë mes të cilëve Ndoc Mulaj, Ilir Shyti, përfaqësues i shoqatës për Mbrojtjen e Rrëqebullit të Ballkanit, operatorin Gisel Dollani dhe Dorien Malaj dhe ishin nisur për të bërë një reportazh për masivin pyjor të Munellës, pretendent për t’u futur në listën e zonave të mbrojtura.

Mësohet se Shyti është gjetur pas disa orësh kërkime, e ndërsa vijon operacioni për gjetjen e Ndoc Mulajt.

Njoftimi i plotë i Policisë:

“Policia e Pukës, shërbimet e zjarrëfikses dhe banorë të zonës i kanë ardhur në ndihmë disa alpinistëve. Sot rreth orës 16:10, jemi njoftuar nga shtetasi A. L., se ka qënë duke eksploruar në Malin e Munellës së bashku me 4 alpinistë amatorë. Gjatë lëvizjes në këmbë 2 prej tyre, shtetasit N. M., rreth 60 vjeç dhe I. Sh., rreth 30 vjeç, kanë rrëshkitur duke rënë në humnerë.

Menjëherë kanë nisur kërkimet nga shërbimet e Policisë, shërbimet e zjarrëfikses, pjestarë të shoqatës së alpinistëve Pukë të cilët janë ndihmuar dhe nga banorë të zonës. Pas 2 orëve kërkimesh në një terren shumë të vështirë është bërë e mundur gjetja e shtetasit I. Sh., i cili po transportohet në spital për ndihmë mjekësore si dhe vazhdojnë kërkimet për gjetjen e shtetasit N. M”, njofton policia.