Bota

Aksidentohet presidenti ukrainas Zelensky, dëmtime të lehta!

Makina me të cilën udhëtonte presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskiy u përfshi në një aksident rrugor në Kiev dhe sipas zëdhënësit të tij, Serhii Nykyforov, kreu i shtetit pësoi lëndime të lehta. Ai kthehej nga Iziumi në rajonin Kharkiv e ku ditët e fundit, trupat ushtarake ukrainase kanë ndërmarrë një kundërofensivë, për të rikthyer kontrollin në pjesët e pushtuara nga rusët.

Nykyforov e dha njoftimin në një postim në Facebook, ndonëse nuk ofroi shumë detaje lidhur me orën kur ndodhi aksidenti. Ndërkohë, informoi vetëm për përplasjen me një automjet privat.

Presidenti u ekzaminua nga një mjek, por nuk u konstatuan lëndime serioze.

Drejtuesit të makinës tjetër, mjekët që shoqëronin presidentin Zelenskiy, i dhanë ndihmë urgjente dhe e shoqëruan në një autoambulancë.
Pak minuta pasi Nykyforov postoi njoftimin në Facebook, zyra e presidentit Zelenskiy publikoi videon e fjalimit të tij të përnatshëm kushtuar zhvillimeve të fundit nga lufta në Ukrainë. Në ditët e ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë armë shtesë në Ukrainë. Uashingtoni synon të ofrojë asistencën e duhur e shumë efikase, për të garantuar suksesin e kundërofensivës së Kievit.

Për Rusinë, nëse Kievi siguron raketat me rreze të gjatë veprimi që i kërkuan Amerikës, qytete të mëdha ruse rrezikojnë shkatërrimin. Sipas ambasadorit të Moskës në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov, “një skenar i tillë nënkupton përfshirje direkte të Amerikës në një përplasje ushtarake me Rusinë”.

Veçanërisht shqetësues është fakti që prej muajsh, Ukraina kërkon furnizime me raketat taktike operative Atacms, të projektuara për të goditur objektiva në një distancë deri në 300 km.

Presidenti rus, Vladimir Putin mbërriti në Uzbekistan për bisedime me homologun kinez, Xi Jinping, për të parin takim direkt mes tyre ndonëse jo të konfirmuar nga Pekini, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, më 24 shkurt.

Shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres pranon se ende janë larg nga arritja e paqes, duke shtuar se do të gënjente, po të thonte se kjo do të ndodhë shumë shpejt.