Film & Tv Live From Tirana

Aktori dhe regjisori i njohur Genti Kame sugjeron për të gjithë ju 5 filmat që e kanë emocionuar më shumë!

Këtë javë, në të mërkurën artistike “Live From The Cinema” ishte i ftuar aktori dhe regjisori i njohur, Genti Kame i cila na sugjeron pesë filmat e tij të preferuar.

1.A Grande Guerra (1959)

“Është kinemaja e cila hodhi hodhi bazat e kinemasë moderne, e të bërit filma. Deri në atë moment kishim filma që ishin tregime në mënyrë të bukur. Neuoralizmi italian futi njeriun real brenda filmit, ku gjithsecili gjente veten. Është kritika më e mirë e bërë deri më sot e të gjithë kohërave mbi luftën. Askush nuk ka ditur ta shpjegojë, analizojë apsurditetin e luftës siç e ka bërë ky film. Është një komedi me një mbyllje dramatike.”

2. Dueli i heshtur (1967)

“Është një film shqiptar që duke lënë mënjanë teknikën dhe kritikat është një film që e shikoj me kënaqësi. Pa u futur te pjesa profesionale. Teknikisht është një film jashtëzakonisht i vështirë sepse 90% e filmit është zhvilluar brenda një ambienti shumë të ngushtë, të vogël. Duhet të jesh gjeni nga ana regjisoriale. Montazhi, plani të duket sikur gjithçka është në lëvizje. Aktorët janë gjithë kohës në përballje në hapësira të vogla. Kemi të bëjmë me aktorë të jashtëzakonshëm, të një kalibri të lartë. Kemi interes edhe sot e kësaj dite si do të përfundojë filmi. Një nga filmat më të mirë që është bërë në Shqipëri.”

3.The others (2001)

Një film jashtëzakonisht i vështirë nga ana teknike. Skenari është një nga më të mirët. Është një histori e thjeshtë, e pakomplikuar dhe që hyn në disa korridore të imagjinatës njerëzore. Skenari më i arrirë për mua. Një film që të fut në një botë tjetër si spektator. Ka një fund që ngelet, që herë pas here kujtohesh, të lënë mbresa, e analizon pasi e ke parë.

4.Scarface (1983)

“Në vitet 90 ky film ka qenë një sukses i madh në Shqipëri atëhere. Është jashtë çdo lloj analize, është një suvenir i rinisë time. Al Pacino ka qenë një nga shtysat se pse më vonë u bëra aktor. Të gjithë ne donim të visheshim si ai, të silleshim si ai(qesh). Zbuluam këtë botë të kësaj kinemaje, kësaj aventure të madhe me këtë aktor gjigand. Pacino në atë rol ka shpalosur të gjitha ngjyra e ylberit. Në atë rol është i papërmbajtshëm, i jashtëzakonshëm, roli i tij është një instrument muzikor, i një përsosmërie, ka lënë shenjë në të gjithë botën. Ky film është një kult dhe këtu kemi një lojë aktorësh që duhet të merret e të studiohet edhe në shkollat e mjeshtërisë së aktorit. Al Pacino është një ufo, një alien, një njeri i zbritur nga marsi.”

5.The Irishman (2019)

“Në rradhë të parë është një regji e jashtëzakonshme. Filmat e regjisorit Scorsese janë balada, ke të njëjtën ndjesi sikur shkon në opera. Mënyra e trajtimit të këtyre temave është gjeniale, e papërsëritshme. Janë tema të rënda por personazhet që ai trajton janë njerëz me një botë, me një konflikt të brendshëm të jashtëzakonshëm. Kemi ajkën e aktorëve të hollivudit. Kemi Al Pacinon, Robert De Niron, i cili është një shofer kamioni që lidhet me mafian dhe futet brenda kësaj bote, derisa bëhet i rëndësishëm dhe në fund ka për detyrë të vrasë mikun e tij të vjetër, Pacinon. Është një betejë e brendshme që vetëm aktor të kalibrit të De Niro-s mund ta marrin përsipër. Është një kënaqësi për tu parë nga të gjitha anët.”