Film & Tv Live From Tirana

Aktori i njohur i humorit Jul Deda sugjeron për të gjithë 5 filmat e tij të preferuar!

Këtë javë, në të mërkurën artistike “Live From The Cinema” ishte i ftuar aktori i njohur i humorit, Julian Deda i cili na sugjeron pesë filmat e tij të preferuar.

1.”The Godfather” (1972)

“Të fusësh të gjithë aktorët më të mirë në botë në një film, të kombinosh talentet e tyre, vetëm në këtë film është bërë më së miri. Meritë e jashtëzakonshme e regjisorit. Është një film që sa herë e shikoj, shikoj gjëra të reja. Është si shkollë për të gjithë aktorët e rinj që nga loja, regjisura, etj. Filmi është ndërtuar më një profesionalizëm të jashtëzakonshëm. E vlerësoj nga të gjitha anët si profesionist. Shikoj lojë, batuta dhe zbuloj gjithë kohës gjëra të bukura. Duket sikur e luajnë atë film çdo ditë. Nuk të mërzitet asnjëherë.”

2.”Forrest Gump” (1994)

“E kam parë kur kam qenë adoleshent dhe më ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Tom Hanks si aktor për mua në këtë film e ka rolin e jetës. Të pyesësh Tomin a e ka rolin e jetës thotë: ‘Nuk i ndaj se i kam si kalamajtë e mi’.(qesh) Mënyra se si trajtohet historia e Amerikës si një lojë, dashuria e fortë me Xhenin, një dashuri që nuk shteron edhe pse ndahen vazhdimisht sepse ky shkon në luftë apo ajo që merret me botën e saj është e jashtëzakonshme. Në fund dashuria dhe e vërteta triumfon.”

3.”Truman Show” (1998)

“Kam preferencë personale për Jim Carrey-n. Aktori im i preferuar, ka qenë dhë është edhe pse nuk është në aktivitet të plotë artistik. Ky film flet për një person që është i survejuar që në bark të nënës, survejohet më kamera të fshehta derisa kupton që bota e tij është një gënjeshtër. Një komedi që shpjegon se si jeta e një njeriu është e survejuar 24 orë. Jam fans i filmave të Jim Carrey-t.”

4.”Amadeus” (1984)

“Më pëlqen Mozarti si kompozitor. Më pëlqen mënyra si e kanë trajtuar këtë njeriun. Shofim një person, shthurjen e tij, raportin me shoqërinë, familjen. Mozarti thuhej që luante bixhoz. Ka qenë i pasur. Më pëlqen kur gjërat sillen me këmbë në tokë. E bëjnë shumë njerëzor Mozartin pavarësisht se kush ka qenë. Këta njerëz, kolloza botëror të muzikës në fund të ditës kanë qenë edhe njerëz. Kanë harxhuar para, janë zënë me gruan, me mamanë, etj. Kur i shikon në një film të tillë më shijon shumë.”

5.”Braveheart” (1995)

“Kur e shikoj këtë filmin them: “Pse nuk e ka bërë bota një film kështu për Skënderbeun”? Do të kishte shumë interes në botë. Më pëlqen loja, masiviteti në film, skenografia, kostumografia e cila është e shkëlqyer si dhe legjenda që përmban luftëtari i cili u fut si padashje në luftë sepse i vranë të dashurën dhe në fund luftoi për liri. Ky film e ka sjellë më së miri këtë luftë.”