Aktualitet Film & Tv

Aktori i njohur Jay Pickett ndërron jetë në moshën 60-vjeçare gjatë xhirimeve të filmit të tij të ardhshëm!

Aktori Jay Pickett ka ndërruar jetë papritmas në moshën 60-vjeçare ndërsa ishte në xhirimet e filmit të tij të ardhshëm që pritej të publikohej së shpejti, “Treasure Valley”. Lajmi i hidhur u konfirmua nga regjisori dhe producenti, Travis Mills. Në një deklaratë për mediat ai u shpreh:

Shumë prej jush kanë dëgjuar tashmë për tragjedinë që ndodhi. Jay Pickett, njeriu ynë më i rëndësishëm, shkrimtari, producenti dhe krijuesi i këtij filmi vdiq papritur ndërsa ne ishim duke u përgatitur për të filmuar një skenë. Nuk ka asnjë shpjegim zyrtar për shkakun e vdekjes së tij, por duket se ka qenë një sulm në zemër. Të gjithë të pranishmit u përpoqën sa më shumë që të mundnin për ta mbajtur atë gjallë. Ne jemi zemërthyer dhe i shprehim ngushëllime familjes për këtë tragjedi.

Mills shtoi që Jay ishte një njeri i jashtëzakonshëm i cili ishte i sjellshëm, i ëmbël dhe bujar.

Ai ishte një nga aktorët më të mirë me të cilët kam punuar ndonjëherë dhe ishte një nder të bashkëpunoja me të. Të gjithë ata që e takuan edhe për momentin më të shkurtër, mund të ndjenin ngrohtësinë e shpirtin e tij të mrekullueshëm.

Pickett lindi më 10 shkurt 1961 në Spokane, Washington. Ai e filloi karrierën e tij në vitet 1980 me paraqitjet në seriale televizive duke përfshirë “Rags to Riches” dhe “China Beach”. Aktori ka lënë pas bashkëshorten e tij, Elenën dhe tre fëmijët e tyre.